Basha: Ajo që nisi me Kukësin nuk do të ndalet. Zotohem për ndëshkim ndaj të korruptuarve

02/04/2018 11:45

Ajo që nisi në Kukës nuk do të ndalet derisa tirania e krimit të rrëzohet, është shprehur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në përkujtimin e ngjarjes së 2 prillit 1991, ku mbetën të vrarë 4 dëshmorët e demokracisë.

“Ky është muaji ku maska e Edi Ramës ka rënë tek shqiptarët. Këto janë aktet e fundit të një grabitqari e mashtruesi pasi vjedh përbuz e tallet me popullin e tij. Unë i them sot nga Shkodra, se i ka bërë hesapet gabim, i them sot nga Shkodra se ajo që nisi në Kukës, nuk do të ndalet dhe nuk ka për të ndaluar derisa tirania e krimit të rrëzohet. Populli i Kukësit i dha përgjigjen e merituar, ai ishte reagimi i njerëzve që nuk munden më të pranojnë taksat e rritura, kërbaçin dhe haraçin e Edi Ramës dhe një grushti njerëzish që pasurohen mbi gjakun e tyre. Le të jetë ky një fillim i mbarë iu pranverës që po vjen. Detyra e madhe e PD-së dhe gjithë njerëzve të thjeshtë e të ndershëm është të shkëpusim njëherë e mirë lidhjet e politikës me krimin. Një Parti Demokratike e çliruar nga korrupsioni nga oligarkët, ka vetëm një interes, interesin enjerëzve të shkodranve dhe të shqiptarëve. Zotohem në këtë altar të lirisë sot se gjithë çfarë kemi denoncuar si opozitë as nuk do ti falim as nuk do ti harrojmë kur të vijë ora e përgjëgjësisë së pushtetit, nuk do të falim askënd që ka bashkëpunuar me krimin, që ka vjedhur dhe grabitur shqiptarët. Nuk do të ketë pushtetarë, nga kryeministri deri te punonjësit më të thjeshtë të administratës që nuk do të japë llogari”, tha Basha.

Për kreun e opozitës “gjysma e qeverisë është e dendur me kokainë, bashkëpunëtor të grupeve kriminale”.

“Këta kanë ndërtuar një sistem ku një grup i strukturuar kriminal, politikanë oligarkë, kriminelë kanë kapur shtetin ekonominë dhe gjithë Shqipërinë. Nëse nuk çmontohet ky sistem kriminal Shqipëria merr fund, ekonomia shqiptare po vdes nga droga, koncesionet korruptive, borxhi dhe grabitja e pasurive natyrore. Vendi nuk ka asnjë perspektivë ekonomikë”, tha Basha më tej.

Top Channel