Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka akuzuar drejtpërdrejt Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara se po tentojnë të pengojnë vendin e saj të organizojë Kupën e Botës gjatë kësaj vere.

Duke folur në një intervistë të gjatë për një televizion rus, ajo tha se “objektivi kryesor i tyre” ishte “t’ua heqin Rusisë organizimin e Kupës së Botës”.

“Ndoshta është përshtypja ime, por ata po kujdesen deri në detaj që t’ia heqin Rusisë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës. Ata do të përdorin çdo mjet të mundshëm. Mendjet e tyre janë fokusuar tashmë te futbolli dhe, Zoti na ruajttë, shpresojmë që të mos kërkojnë të prekin Rusinë në këtë rast”.

Britania ka kërkuar prej kohësh të ndëshkojë Rusinë, pasi e akuzoi atë për sulmin me agjent nervor në tokën britanike ndaj një ish-spiuni rus. Familja mbretërore sigurisht nuk do të jetë pjesë e Botërorit të futbollit, një nga masat e kundërpërgjigjes të vendit ishullor për veprimin e Moskës.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson bëri muajin e kaluar një paralelizëm mes Kupës së Botës në Rusi me Lojërat Olimpike të mbajtura në Gjermaninë naziste të vitit 1936. Ndërsa një deputet i opozitës britanike ka bërë thirrje që Botërori të shtyhet, ose të luhet diku tjetër.

Gjithsesi, ende nuk ka asnjë vendim që të sugjerojë se ekipi i Anglisë, siç njihet ndryshe “Tre luanët”, do të bojkotojë kampionatin prestigjioz, që do të nisë në fillim të qershorit.

Dhjetëra diplomatë janë dëbuar nga të dyja palët, pas ngërçit që shkaktoi helmimi i Sergei Skripalit dhe vajzës së tij Yulia, më 4 mars në Salisbury. Në lëvizjen më të fundit, rreth 170 diplomatë rusë dhe familjarët e tyre lanë Uashingtonin pasditen e së premtes. Njëkohësisht me të, flamuri amerikan në Konsullatën e SHBA-ve në Shën Pjetërburg u hoq, pas vendimit të qeverisë ruse për ta mbyllur atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA