“Ubi et Orbi”, Papa Françesku: T’u jepet fund masakrave si ajo e Sirisë

01/04/2018 13:45

Papa Françesku ka bërë thirrje për dhënien fund të masakrave në Siri, gjatë mesazhit tradicional të ditës së Pashkës nga sheshi kryesor i Vatikanit.

Ai kërkoi gjithashtu nga Zoti që të shërojë plagët në Sudanin Jugor dhe Republikën Demokratike të Kongos, si dhe nxiti dialogun në gadishullin Korean.

Papa Françesku tha se fuqia e mesazhit të krishterë u jep shpresë të privuarve. Kjo përfshin emigrantët dhe refugjatët, që janë “duke u refuzuar kaq shpesh nga kultura e sotme e shpërdorimit”.

Mijëra njerëz besimtarë ishin mbledhur në sheshin e “Shën Pjetrit” për të dëgjuar Atin e Shenjtë të fliste nga ballkoni i bazilikës.

“Sot ne lutemi për të mbjellë frytet e paqes mbi të gjithë botën, duke nisur nga toka e dashur dhe e përvuajtur e Sirisë, populli i së cilës është lodhur nga një luftë në dukje e pafund”, tha Papa.

“Kjo Pashkë, drita e Krishtit të ringjallur le të ndriçojë ndërgjegjet e të gjithë udhëheqësve politikë e ushtarakë, në mënyrë që t’i jepet fund sa më shpejt masakrave ende në zhvillim, në mënyrë që ligjet humanitare të mund të respektohen dhe që të mund të parashikohet lehtësimi i dërgimit të ndihmave, aq shumë të domosdoshme”.

Gjatë këtyre 5 viteve të qëndrimit të tij në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku ka folur vazhdimisht dhe me vendosmëri në dënimin e konfliktit sirian. Në vitin 2013, ai u vlerësua për udhëheqjen e një opozite morale ndaj ndërhyrjes ushtarake perëndimore.

Ndërsa duke iu rikthyer rajonit më në tërësi, ai tha këtë të dielë se “ne lutemi për frytet e pajtimit në të gjithë Tokën e Shenjtë, që po përjeton gjithashtu gjatë këtyre ditëve plagët e një konflikti të stërgjatë që nuk po i kursen të pambrojturit, për Jemenin dhe të gjithë Lindjen e Mesme, në mënyrë që respekti i përbashkët të mbizotërojë ndaj çdo përçarjeje dhe akti të dhunshëm”.

Sa u përket marrëdhënieve mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, Papa Bergoglio tha se shpreson që bisedimet, që synojnë të sheshojnë tensionet afatgjata në gadishullin Korean, të mund të avancojnë në paqe e harmoni.

Ati i Shenjtë shprehu shpresën dhe besimin e tij edhe për dhënien fund të konflikteve dhe përçarjeve në Ukrainë e Venezuelë.

Top Channel