Tragjedia në Kemerovo, dorëhiqet guvernatori që humbi edhe mbesën e tij

01/04/2018 10:55

Guvernatori i rajonit rus Kemerovo, ku zjarri i rënë në një qendër tregtare shkaktoi dhjetëra viktima, dha dorëheqjen.

Aman Tuleyev tha se braktisja e postit të guvernatorit të Kemerovos ishte vendimi i duhur pas katastrofës.

Njoftimin e bëri të ditur në një fjalim të postuar në faqen e administratës rajonale në internet.

Zjarri që përfshiu qendrën tregtare, “Qershitë e dimrit”, në muajin mars shkaktoi mbi 60 viktima, shumica e të cilëve fëmijë. Mes viktimave thuhet të jetë edhe mbesa e Tuleyev, i cili ka qenë guvernatori i rajonit të pasur me qymyr që prej vitit 1997.

Mijëra njerëz protestuan pas tragjedisë, lidhur me mangësitë në sistemin e sigurisë. Hetuesit thanë se alarmi i zjarrit kishte qenë i prishur, daljet e bllokuara, ndërsa rojet e sigurisë që duhet të ndihmonin në evakuimet e emergjencës ishin mes të parëve që u larguan pas rënies së zjarrit.

Shumë fëmijë u bënë viktima, pasi gjendeshin në ambientet argëtuese të kompleksit, përfshirë një kinema, dyert e së cilës ishin të mbyllura. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse zjarri është shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik, ose nga një zjarrvënie e qëllimshme në këndin e lojërave.

Presidenti Vladimir Putin, i cili vizitoi Kemerovon pas tragjedisë, fajësoi atë që e quajti “neglizhencë kriminale” për zjarrin.

Top Channel