Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë ditës së dielë se tarifa prej 5 eurosh për kalimin në Rrugën e Kombit është e panegociueshme.
Por, e panegociueshme është edhe për Këshillin Bashkiak të Kukësit heqja e kësaj tarife.
“Tarifa për Rrugën e Kombit është e panegociueshme! Kërkojmë lirimin e të gjithë të arrestuarve dhe ndalimin e arrestimeve të tjera.
Përmes një deklarate, Këshilli ka dalë pasditen e së dielës me një qëndrim, ku veç heqjes së taksës kushtëzon bisedimet me qeverinë për situatën e krijuar me lirimin e të ndaluarve.
“Çdo përpjekje për bisedime nuk do të merret në konsideratë deri në momentin që të jenë liruar të gjithë të arrestuarit”, thuhet në reagimin e Këshillit Bashkiak.
Ndërkohë, protestës së qytetarëve kuksianë para komisariatit të qytetit u është bashkuar edhe biznesi vendas.
Përmes një deklarate për shtyp, shoqata Biznesi për Biznesin kërkon lirimin e personave të ndaluar nga policisë dhe shpreh shqetësimin se protesta kundër pagesës në Rrugën e Kombit po përdoret për të frikësuar dhe persekutuar qytetarët e Kukësit.
Shoqata bën thirrje që të shmanget dhuna dhe ripërsërit qëndrimin e saj kundër tarifës së vendosur për të kaluar në Rrugën e Kombit.
“Kemi argumentuar që kjo taksë është e padrejtë, sepse paguhet. Rruga është ndërtuar me fonde publike dhe jo private”, thonë përfaqësuesit e shoqatës.
Top Channel