Rama: Tarifa 5 euro nuk ndryshon. Sistemi, pasi të vendosen kuponët për banorët

01/04/2018 11:22

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë përpara gazetarëve ditën e dielë, një ditë pas protestës për tarifën e “Rrugës së Kombit”, deklaroi se “policia ruajti gjakftohtësinë përballë një tufe vandalësh që do të marrë ndëshkimin që meriton”.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se do të ndërmerret një “komunikim intensiv shpjegues në lidhje me tarifën sepse dizinformimi dhe manipulimi i opinionit publik ka triumfuar mbi shpjegimet që ne kemi dhënë gjatë debateve të ditëve të fundit”.

“Ka nevojë për luftimin e dizinformimin që orkestrohet nga zjarrnxitësit e Tiranës. Kontrata është nënshkruar që prej dy vitesh dhe sot ngrihet një furtunë në gotë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët dhe mbi një investim që duhet ta dëmshpërblejë buxheti i përbashkët. Kur investimet sulmohen dhe digjen nga vandalë, ai që ka bërë investimin e kërkon atë mbrapsht nga shteti”, tha Rama.

Kryeministri përsëriti se do të ketë abone për banorët e zonës: “Në kontratë është parashikuar sistemi i posaçëm për përdoruesit e shpeshtë, banorët e zonës. Do të ketë abone për ta. Kjo nuk është bërë më parë sepse duhen 6 muaj për verifikimin e përdoruesve të rregullt”.

Tarifa e “Rrugës së Kombit”, sipas Ramës, është e domosdoshme për mirëmbajtjen e saj. Kryeministri tha se edhe paraardhësi i tij e ka thënë më parë që rruga nuk mund të mirëmbahet dot. “Mospagesa si kontribut do të çonte në rrënimin e rrugës”, u shpreh Edi Rama, i cili nënvizoi se “5 eurot nuk negociohen”.

Kur u pyet nëse protesta në Kukës ngjante me atë të 21 janarit, Rama tha: “Atëherë, protestuesit u sulmuan nga policia. Unë personalisht kam qenë duke ecur dhe jam kthyer përpara kullave pasi pamë tymin e gazit lotsjellës dhe makinat me ujë. Janë dy gjëra të ndryshme. Ndodh që turma të reagojë kur sulmohet nga policia, por të mos bëjmë krahasime pa lidhje sepse në këtë rast bëjmë gabim të madh”.

Top Channel