Gjermania shton përpjekjet për dëbimin e azilantëve. Falë një marrëveshjeje të miratuar nga konservatorët e CDU/CSU-së dhe socialdemokratët, autoritetet kanë filluar të ngrenë të ashtuquajturat “qendra ankorimi”, ku do të qëndrojnë azilkërkuesit në pritje të përfundimit të të gjitha procedurave.
Përgjegjësia për këto qendra, nga ku azilkërkuesit duhet të largohen në rastin e refuzimit të kërkesës, do të jetë e policisë federale.
Siç bëjnë të ditur mediet gjermane, synimi i kësaj nisme është përshpejtimi i procedurave të azilit, në mënyrë që azilkërkuesit e refuzuar të dëbohen më shpejt.
Por, për studiuesin e migracionit, Jochen Oltmer, është e paqartë se përse kjo nuk bëhet nga strukturat ekzistuese. I cituar nga “Deutsche Welle”, ai e sheh këtë hap si një mungesë besimi të Ministrisë së Brendshme ndaj insititucioneve që kanë qenë përgjegjëse deri më tani.
Drejtuesi i organizatës “Pro Asyl”, Günter Burkhardt e sheh me sy kritik idenë e këtyre qendrave. Sipas tij, personat që kanë nevojë për mbrojtje do t’u nënshtrohen procedurave jo të drejta, ndërsa do të përgatiten për kthimin në vendet e origjinës.
Qendra e parë e ankorimit pritet të fillojë punën në vjeshtë. “Süddeutsche Zeitung” citon sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme të thotë se, projekti do të ndiqet me prioritet të lartë.
Top Channel