Vigjilja e Pashkës, ritet e katolikëve në pritjen e ditës së “Ringjalljes’

31/03/2018 15:29

Pashka është festa më e madhe në kalendarin liturgjik, e ndoshta për këtë arsye, festimet për këtë festë nga besimtarët nisin tre ditë përpara.

Albana Kashneti është një besimtare katolike, e cila në familjen e saj është rritur që në vegjëli me ritet e kësaj feje. Ajo tregon se besimtarët mbajnë kreshme për 40 ditë duke kufizuar ngrënien e disa ushqimeve, në kujtim të Jezu Krishtit, i cili i tunduar nga djalli, ia doli të mos dorëzohej dhe të qendronte pa ngrënë dhe pirë për 40 ditë.

“Kreshmet fillohen të Mërkurën e Përhimë 40 ditë, deri të Dielën e Pashkëve. Feja jonë ka bërë shumë tolerime. Kreshmet kanë qenë duke filluar që nga mishi, bulmetrat dhe ushqime që janë të kufizuara. Tani neve na thuhet që nga e Mërkura e Përhimë deri të Premten e Zezë që është pak para Pashkëve, nuk do të hamë mishin. Të premten e fundit duhet të hash një vakt me pak në shenjë të atyre që nuk kanë”, tha Albana Kashneti, besimtare katolike.

Besimtarët katolike i drejtohen kishës të shtunën deri në mesditë, duke mbajtur në duar një shportë me ushqimet që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, ku nuk mungon Buka e Pashkës, vezët e kuqe, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës.

“Buka është jeta, nuk bëjmë dot pa të. Janë vezët e lyera, e kuqja është gjaku i Krishtit, pastaj për larmishmëri kemi futur edhe ngjyrat e tjera. Janë ngjyrat e jetës: dashuria, pastërtia, bardhësia. Siç është jeta e bukur me të gjitha ngjyrat, ashtu edhe vezët përfaqësojnë ato. Edhe vera nuk duhet të mungojë në tavolinën tonë. Simbolizon gjakun e Krishtit. Ne e bekojmë të shtunën para se ta pimë”, vijon ajo.
Pasi zgjedhin veshjet më të mira si për një ditë feste, të shtunën në mesnatë besimtarët katolike i drejtohen kishës.

“Vijmë pak para orës 12.00. Është mesha e mesnatës. Në orën 12.00 është simboli që ne jemi shumë të lumtur, ndizen qirinjtë, themi një dëshirë. Veshja është jo vetëm ditë feste, duhet të jetë korrekt me kishën. Kjo kur ne vijmë në meshë, gjërat më të bukura që kemi. Të kuqe se është ngjyra e bukur e dashurisë”, thotë ajo.

Dreka e Pashkëve mbledh të dielën të gjithë familjen për të festuar Ngjalljen e Krishtit me një tryezë të mbushur plot me gatimet më të mira.

Top Channel