Rruga e Kombit nuk do të jetë e vetmja me pagesë. Ndërsa kukësianët protestonin kundër tarifave të vendosura së fundmi, Kryeministri Rama nga Vlora njoftoi për një tjetër aks, këtë herë drejt jugut, përdorimi i të cilit do të jetë gjithashtu me pagesë.

“Do të ndërtojmë aksin Kashar-Rrogozhinë-Vlorë, në mënyrë që ndërlidhja të bëhet direkte dhe aty do të synojmë një tjetër skemë. Aty do të kemi skemat e pagesës, pra një rrugë me pagesë për të mbërritur nga Tirana në Vlorë, për gjysmën e kohës aktuale”, tha kryeministri Rama.

Kukësianëve, të indinjuar për pagesën e rrugës, u tha se shumë shpejt do të mund të fluturojnë me tarifa të ulta, pasi qeveria po negociohet për hapjen e aeroportit të qytetit.

“Do t’i shërbejë një hapësire shumë të rëndësishme shqiptare dhe është një aeroport që do të jetë i garantuar me një fluks të lartë, pasi do të mbulojë të gjitha fluturimet me Anglinë, Gjermaninë, Zvicrën dhe zonat ku ka shumë shqiptarë. Pa llogaritur pastaj edhe shqiptarët e Kosovës, që do ta kenë shumë më të lehtë të përdorin aeroportin e Kukësit, si rezultat i çmimeve te ulëta”, deklaroi Rama.

Rama kundërshtoi edhe zërat që ankohen për taksat e larta, si nga qytetarët ashtu edhe nga biznesi. Kryeministri pretendon se ato janë ulur përmes taksimit progresiv.

“Për taksat ankohen ata që nuk paguajnë asnjë taksë. Bizneset e vogla e kanë taksën zero. Nëse quajnë taksë pagesën e dritave, të ujit dhe të shërbimeve, jemi sërish te 7×7 bëjnë 42, pasi këto janë shërbime dhe nuk quhen taksa”, tha Rama, duke ironizuar liderin e opozitës.

Rama tha se së shpejti do të prezantohet “Programi Kombëtar i Punësimit 2021”, që po përgatitet nga qeveria, me objektiva të detajuara për çdo sektor.

Top Channel