Në vigjilje të festës së Pashkëve, besimtarët katolikë në Shkodër kanë kremtuar mbrëmjen e së premtes ritualin që njihet si e Premtja e Madhe e Udhës së Kryqit, ku është përkujtuar vuajtja dhe sakrifica e Jezu Krishtit në kryq.

Famulltari i Katedrales Shën Shtjefni në Shkodër, Dom Vlash Palaj shprehet se ky ritual është një nga momentet më të rëndësishme në prag të festës së Pashkëve.

“Jemi përballë një mesazhi, një ngjarje, e cila përbën thelbin dhe forcën e jetës së krishterë, ku Krishti me jetën e tij e mundi pushtetin e vdekjes. Me ringjalljen e tij, Krishti na dhuroi shpresën se duke qendruar në të mund të qëndrojmë në të, por kemi edhe shpresën për një jetë pasuese”, shprehet Dom Vlash Palaj.

E Premtja e Madhe shoqërohet me lutje, heshtje e agjërim nga besimtarët katolik. Udha e Kryqit ka nisur me liturgjinë përpara Katedrales në prani të shumë besimtarëve. Më pas, rituali vijoi me rrugëtimin e Udhës së Kryqit.

Top Channel