Siri, Franca ofron ndërmjetësim midis Turqisë dhe kurdëve

30/03/2018 08:36

Franca ka ofruar që të ndërmjetësojë në konfliktin në veri të Sirisë, aty ku ushtria turke nisi një sulm ushtarak kundër luftëtarëve kurdë, në muajin janar.

Ankaraja kërkon që të dëbojë milicinë kurde, të cilën e shikon si një zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Presidenti francez, Emmanuel Macron u takua me anëtarë të Forcave Demokratike Siriane (që kanë shumicë kurde) dhe tha se ka shpresë për një dialog mes Turqisë dhe milicisë. Presidenti tha se Franca mbështet stabilizimin e zonës së sigurisë në veri-lindje të Sirisë, për të ndaluar që ISIS-i të rifitojë fuqinë.

Zyra e shtypit e Presidentit të Francës ka thënë se Macron “falenderoi Forcat Demokratike Siriane për sakrificat në luftën kundër Shtetit Islamik”.

Forcat Demokratike Siriane janë një aleat kyç i SHBA-së në luftën kundër ISIS-it. Franca dhe SHBA-ja i kanë dhënë kësaj milicie armë dhe gjithashtu i kanë trajnuar. SHBA-ja thotë se kjo milici nuk ka lidhje direkte me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, që Turqia e quan grup terrorist.

Top Channel