“Marshimi gjigant i kthimit”, tensione në kufirin Gaza-Izrael

30/03/2018 12:19

Tensionet në Gaza janë rikthyer pas vrasjes së një fermeri palestinez nga predhat e një tanku izraelit, vetëm pak orë përpara nisjes së një proteste në kufi.

Sulmi ndodhi në afërsi të qytetit të Khan Junisit. Ushtria izraelite justifikohet duke thënë se tanket hapën zjarr ndaj dy personave të përfshirë në një aktivitet të dyshimtë pranë gardhit të sigurisë.

Palestinezët kanë ngritur aty tenda në përgatitjet për protestën e madhe 6-javore të quajtur “marshimi gjigant i kthimit”.

Nga predhat e forcave izraelite janë plagosur disa prej tyre, ndërsa pala tjetër mbrohet me pretendimin se i ka paralajmëruar palestinezët të mos iu afrohen gardheve të sigurisë.

Hamasi që qeveris Rripin e Gazës nuk vonoi të reagonte, duke e akuzuar shtetin hebre se po përpiqet të frikësojë palestinezët, e nëpërmjet vrasjes së fermerit t’u tregojë atyre se nuk duhet të bëhen pjesë e tubimit masiv.

Protesta, sipas Ministrisë së Jashtme izraelite është një “përpjekje e qëllimshme për të provokuar një konfrontim me Izraelin” dhe se “përgjegjësia për çdo përplasje rëndon vetëm mbi Hamasin dhe organizatat e tjera pjesëmarrëse palestineze”.

Skenari që përvijojnë palestinezët për incidentin është shumë më i thjeshtë. 27-vjeçari Omar Samour, sipas tyre ndodhej në atë fushë për të mbledhur majdanoz.

Top Channel