Franca ofrohet si ndërmjetësuese mes turqve e kurdëve, Ankaraja refuzon

30/03/2018 14:51

Franca u ofrua të ndërmjetësojë konfliktin e Sirisë veriore, ku Turqia nisi në muajin janar një ofensivë ushtarake kundër luftëtarëve kurdë.

Ankaraja po bën çmos të dëbojë grupet paraushtarake kurde “YPG”, të cilat i sheh si zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të shpallur të paligjshme.

Por, oferta e Parisit u hodh poshtë me shpejtësi nga një zëdhënës turk presidencial.

“Kombet e tjera, – u shpreh ai, – duhet të mbajnë një qëndrim të qartë kundër të gjitha llojeve të terrorizmit”.

Pesë ushtarë turq u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën vetëm gjatë ditës së premte, nga një sulm i PKK-së në krahinën juglindore të Siirtit. Sulmi më vdekjeprurës i kësaj organizate prej muajsh të tërë ka të ngjarë të jetë në hakmarrje ndaj ofensivës turke në Sirinë veriore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron u takua më herët me anëtarë të Forcave Demokratike Siriane (SDF), të mbizoteruara nga kurdët, duke përfshirë edhe njësitë “YPG”, të cilët i falënderoit për sakrificat dhe rolin vendimtar në luftën kundër ISIS-it, e përcolli njëkohësisht shpresën e tij për dialog mes Turqisë dhe paraushtarakëve kurdë.

Top Channel