Amal Clooney i bashkohet ekipit ligjor për lirinë e gazetarëve të “Reuters”-it

30/03/2018 15:59

Avokatja e të drejtave të njeriut dhe bashkëshortja e George Clooney, Amal tha se do t’i bashkohej ekipit ligjor që përfaqëson dy gazetarët e agjencisë së lajmeve “Reuters” në Mianmar.

Ajo tha se nuk ka asnjë dyshim se, Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo janë të pafajshëm dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Dy gazetarët akuzohen për shkeljen e të ashtuquajturit “Akti i Sekreteve Zyrtare” të epokës koloniale, gjatë raportimeve të tyre për krizën. Ata përballen me 14 vite burg.

“Rezultatet mbi çështjen do të na tregojnë shumë mbi zotimin e Mianmarit për sundimin e ligjit dhe lirinë e fjalës. Gazetarët po ndiqen penalisht, vetëm sepse raportuan lajmet”, tha Clooney në një deklaratë.

Ajo shtoi se do të bëjnë gjithçka për të siguruar lirimin e gazetarëve. Agjencia e lajmeve “Reuters” bëri të ditur se dy personat u arrestuan, pasi po hetonin ekzekutimet masive të komunitetit “Rohingya” nga ushtarët dhe banorët e fshatrave.

Përfaqësues të agjencisë thanë se përfshirja e Amal Clooney në këtë çështje e fuqizon ekipin e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë. Avokatja britaniko-libaneze, Amal Clooney njihet për aktivizimin në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe ka përfaqësuar edhe dy gazetarët e “Al Jazeera”-s të burgosur në Egjipt.

Top Channel