Lëkundje të forta në Athinë, dy tërmete njëra pas tjetrës, ja sa ishte magnituda Plot 68 persona kanë humbur jetën në qytetin venezuelian të Valencias, pas flakëve që shpërthyen në një komisariat policie.
Incidenti e ka fillesën te vet të burgosurit, të cilët iu vunë zjarrin dyshekëve në përpjekje për t’u larguar nga qelitë.
Pjesa dërrmuese e viktimave ishin të dënuar, por mes tyre besohet të jenë edhe dy gra, të cilat kishin shkuar në stacionin e policisë për të takuar të afërmit e tyre.
Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë familjarët e grumbulluar përpara godinës me të mësuar lajmin e zjarrit.
Prokurori i Përgjithshëm, Tarek Saab u përpoq ta fashiste disi situatën me premtimin e nisjes së një hetimi të menjëhershëm mbi shkaqet e fatkeqësisë.
Rrethanat e saj nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por shoqata “Una Ventana a la Libertad”, (Një dritare për lirinë), e cila monitoron kushtet në burgje, thotë se një oficer policie është qëlluar në këmbë nga një i burgosur e shumë shpejt pas kësaj dyshekëve nëpër qeli iu vu flaka.
Nuk vonoi shumë që zjarri të përhapej me një shpejtësi marramendëse. Personat e përfshirë në përpjekjet e shpëtimit raportohet të kenë rrëzuar muret për të shpëtuar të burgosurit e bllokuar mes flakëve.
Disa prej viktimave u dogjën të gjallë, ndërsa të tjerë vdiqën të asfiksuar prej tymit. Të afërmit e zemëruar u përleshën me policinë përpara dyerve të institucionit të riedukimit, ku ishin mbledhur për të kërkuar informacion mbi njerëzit e tyre.
Burgjet në Venezuelë janë të mbipopulluara dhe, me problemet e mëdha ekonomike që po kalon vendi, autoritetet e tij po përpiqen me shumë mundim t’i akomodojnë të dënuarit, duke përdorur përkohësisht edhe ambiente si ato të komisariatit në Valencia.
Top Channel