
Plot 68 persona kanë humbur jetën në qytetin venezuelian të Valencias, pas flakëve që shpërthyen në një komisariat policie.
Incidenti e ka fillesën te vet të burgosurit, të cilët iu vunë zjarrin dyshekëve në përpjekje për t’u larguar nga qelitë.
Pjesa dërrmuese e viktimave ishin të dënuar, por mes tyre besohet të jenë edhe dy gra, të cilat kishin shkuar në stacionin e policisë për të takuar të afërmit e tyre.
Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë familjarët e grumbulluar përpara godinës me të mësuar lajmin e zjarrit.
Prokurori i Përgjithshëm, Tarek Saab u përpoq ta fashiste disi situatën me premtimin e nisjes së një hetimi të menjëhershëm mbi shkaqet e fatkeqësisë.
Rrethanat e saj nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por shoqata “Una Ventana a la Libertad”, (Një dritare për lirinë), e cila monitoron kushtet në burgje, thotë se një oficer policie është qëlluar në këmbë nga një i burgosur e shumë shpejt pas kësaj dyshekëve nëpër qeli iu vu flaka.
Nuk vonoi shumë që zjarri të përhapej me një shpejtësi marramendëse. Personat e përfshirë në përpjekjet e shpëtimit raportohet të kenë rrëzuar muret për të shpëtuar të burgosurit e bllokuar mes flakëve.
Disa prej viktimave u dogjën të gjallë, ndërsa të tjerë vdiqën të asfiksuar prej tymit. Të afërmit e zemëruar u përleshën me policinë përpara dyerve të institucionit të riedukimit, ku ishin mbledhur për të kërkuar informacion mbi njerëzit e tyre.
Burgjet në Venezuelë janë të mbipopulluara dhe, me problemet e mëdha ekonomike që po kalon vendi, autoritetet e tij po përpiqen me shumë mundim t’i akomodojnë të dënuarit, duke përdorur përkohësisht edhe ambiente si ato të komisariatit në Valencia.
Top Channel