Gjashtë vite më parë, një militant taleban hapi zjarr ndaj autobusit me të cilin ajo po kthehej nga shkolla, së bashku me disa vajza të tjera.

Malala Yousafzai, asokohe vetëm 14 vjeç, ishte shfaqur si aktiviste për arsimimin e femrave në vendlindjen e saj, luginën e varfër të Swatit, ku talebanët ua ndalonin vajzave shkollimin.

Nga sulmi në autobus, Malala u plagos rëndë me një plumb në kokë. Zëri i vajzës, e cila do të ngrihej mbi frikën dhe paragjykimet, duke shkruar që 11 vjeç një ditar anonim për “BBC Urdu” mbi jetën nën regjimin e militantëve, u shpërblye në vitin 2014 me Nobelin e Paqes.

Malala Yousafzai është kthyer sot në Pakistan për të parën herë që kur bindjet e saj rrezikuan t’i kushtonin jetën. Në një fjalim emocionues, 20-vjeçarja u shpreh se kjo kishte qenë prej shumë kohësh ëndrra e saj: të kthehej në vendin e saj pa pasur frikë.

“Gjithmonë kam dashur të vij sërish këtu, pa drojën e asaj që mund të më ndodhë. Kam dashur të mund të lëviz lirshëm nëpër rrugë, të takoj njerëzit, të flas me ta. Jam e lumtur që kjo po ndodh, ju jam mirënjohëse të gjithëve”, tha Malala.

Vizita pritet të zgjasë 4 ditë. Zyrtarë të fondit që mban emrin e saj po e shoqërojnë vajzën në këtë rrugëtim, detajet e të cilit janë mbajtur sekret për arsye sigurie.

Top Channel