Francë, arrestohet shoferi që tentoi të vriste ushtarët

29/03/2018 10:58

Policia franceze ka mundur të arrestojë drejtuesin e automjetit, që rrezikoi të shtypte një grup ushtarësh që po vraponin pranë kazermave të tyre, në qytetin juglindor të Francës, Grenoble.

Ushtarët e Regjimentit të 93-të të Artilerisë Malore arritën t’i shpëtonin automjetit që po vinte me shpejtësi në drejtim të tyre në Varces-Allières-et-Risset, duke u hedhur në një gropë.

Shoferi thuhet të ketë lëshuar britma në gjuhën arabe përpara se të sulmonte ushtarët, e më pas të arratisej nga vendngjarja me një automjet të vjedhur tip Peugeot 208. Sipas raportimeve të medies vendase, edhe një grua ndodhej në makinën e të dyshuarit.

Policia njoftoi përmes “cicërimave” në “Twitter” se kishte arrestuar personin e dyshuar në një treg të Grenobles, pas një operacioni të gjerë kërkimi. Incidenti u shënua në kohën kur po zhvillohej funerali i viktimave të pengmarrjes në supermarketin e qytetit jugperëndimor të Trèbesit.

Agresori, Radouane Lakdim, e nisi fushatën e tij terroriste më 23 mars pranë Carcassones, duke qëlluar ndaj oficerëve të policisë lokale që kishin dalë për vrap, e duke plagosur njërin prej tyre.

Një zëdhënës i ushtrisë franceze, koloneli Benoit Brulon konfirmoi sulmin e së enjtes, duke thënë se i dyshuari kishte “kërcënuar verbalisht” disa ushtarë, të cilët si çdo mëngjes e nisnin ditën duke bërë vrap.

Gjithsej ishin 10 ushtarë që arritën të shpëtonin nga tentativa e dështuar. Franca mbetet ende në gjendje të lartë gatishmërie, pas një serie sulmesh terroriste gjatë viteve të fundit, edhe pse në tetor të vitit të kaluar presidenti Macron e hoqi “gjendjen e emergjencës” që ishte në fuqi prej vitit 2015.

Top Channel