Janë publikuar fotot e para të trenit të blinduar me të cilin udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un udhëtoi për të shkuar në Kinë.

Treni me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë, që arriti në Pekin ditën e hënë, është i njëjti që përdori babai i liderit koreano-verior, Kim Jong-il, në maj të vitit 2000, për vizitën po në Pekin. Atëherë Kim Jong-il takohej me Jiang Zemin, udhëheqësin e Kinës në atë kohë. Ndryshe nga ngjyra e errët në pjesën e jashtme, sediljet në brendësi të trenit janë rozë.

Sipas shtypit të Koresë së Jugut, ky tren ka 90 vagonë të blinduar dhe shoqërohet nga dy trena të tjerë që shërbejnë si “truproje”. Duke qenë se është shumë i rëndë, ky mjet lëviz ngadalë, duke mos i kaluar 60 km/h.

Por, brenda është shumë luksoz dhe ka teknologji të lartë. Gjithashtu, sipas një zyrtari rus që ka udhëtuar me këtë tren në vitin 2001, ka arka me verë Bordeaux dhe Beaujolais, që kanë ardhur me porosi nga Franca. Për të ngrënë, karavidhet vijnë të gjalla në trenin që është në udhëtim e sipër.

Pas zërave disaditore, Kina dhe Koreja e Veriut e konfirmuan vizitën e udhëheqësit koreano-verior në kryeqytetin kinez, udhëtimi i parë ky jashtë kufijve për të, që prej marrjes së postit në vitin 2011.

Kim ka zhvilluar me presidentin kinez, Xi Jinping, bisedime të cilësuara të suksesshme nga agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”, e sipas disa raporteve në mediet britanike është shprehur i gatshëm të takohet tani, ashtu siç flitet, edhe me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

Të njëjtat burime pretendojnë gjithashtu se, në Kinë, udhëheqësi koreano-verior ka shprehur angazhimin për denuklearizimin e vendit të tij, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut japin shenja vullneti të mirë.
Pekini duket se ka pranuar ta mbështesë fqinjin e tij, nëse tensionet nukleare në rajon qetësohen.

Gjatë vizitës në Kinë, Kim Jong-un shoqërohej nga e shoqja, Ri Sol-ju.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel