Trump: “Presidenti kinez më siguroi që takimi me Kim-in shkoi shumë mirë”

28/03/2018 20:09

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi këtë mërkurë në Twitter se kishte marrë një mesazh nga Presidenti i Kinës, Xi Jingping, në lidhje me vizitën e fshehtë të diktatorit koreano-verior, Kim Jong Un, i cili ndodhej në Pekin gjatë kësaj fundjave.

Trump deklaron se Xi i ka thënë në mesazh se takimi me Kim-in shkoi “shumë mirë”, dhe se “Kim e mirëpret takimin me të”. Presidenti amerikan shton se  sanksionet kundër Koresë së Veriut do të vazhdojnë të jenë në zbatim.

Presidenti shprehu optimizëm se “Kim Jong Un do të zgjedhë të bëjë më të mirën për popullin e tij dhe për njerëzimin. E mirëpres takimin tonë”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se qeveria kineze kishte telefonuar për t’i përditësuar rreth vizitës së Kim-it. Përditësimi përfshinte një “mesazh personal” të dërguar nga Xi për presidentin Trump, sipas Shtëpisë së Bardhë, edhe pse nuk dhanë detaje të mëtejshme.

“Ne e shohim vizitën e Kim-it në Kinë si dëshmi se fushata jonë me presion maksimal po krijon atmosferën e duhur për dialog me Korenë e Veriut”, tha Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders.

Diktatori i Koresë së Veriut u largua nga Pekini të martën, pasi ishte takuar me krerët e vendit për disa ditë me radhë. Vizita e tij nuk u njoftua në publik deri ditën që ndodhej në Kinë, sipas CNN.

Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar në fillim të këtij muaji se Presidenti Trump e kishte pranuar ftesën e udhëheqësit koreano-verior për t’u takuar.

Koreja e Veriut ende nuk ka komentuar për takimin në fjalë. Trump e pranoi ftesën nga Kim Jong Un pasi iu raportua verbalisht në Uashington nga një delegacion i Koresë së Jugut.

Nëse krerët e dy vendeve takohen, do të ishte hera e parë që një President amerikan takohet me një udhëheqës të kombit të izoluar aziatik.

Top Channel