Task forca e tokave, e ngritur nga Ministria e Drejtësisë, e ka nisur punën e saj verifikuese nga Hipoteka e Vlorës.

Bregdeti në këtë qark ka problemet më të mëdha me abuzimet. Vetëm një ditë më parë u dënua një grup që kishte grabitur mbi 300 hektarë tokë.

Paraditen e së mërkurës, grupi i task forcës, në përbërje të të cilit ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Elion Selmanaj, shkuan në Prefekturën e Vlorës, Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe në zyrën e Avokaturës së Shtetit.

Fillimisht, task forca do të verifikojë dokumentacionin e tokave dhe më pas, në varësi të problematikave që do të hasen, do të procedohet më tej edhe me verifikimet në institucione të tjera dhe në terren.

Ndërkohë, edhe kreu i ALUIZNI-it, Artan Lame, gjatë ditës së mërkurë veçoi Qarkun e Vlorës përgjatë gjithë bregdetit të jugut, si ndër më problematikët sa i takon regjistrimit të tokave dhe shkeljeve të konstatuara deri më tani. Lame tha se tokat në bregdet janë lënë të paregjistruara, për ta patur më të lehtë për t’i grabitur.

Top Channel