Superimpianti diellor do të ndërtohet në Arabinë Saudite

28/03/2018 14:09

Arabia Saudite ka vendosur më në fund që të shfrytëzojë seriozisht burimin më të madh që i ka dhënë natyra.

Në bashkëpunim me kolosin japonez “Softbank”, Mbretëria saudite po planifikon që të nxjerrë fitime nga dielli përvëlues i Lindjes së Mesme, duke ndërtuar një projekt prej 200 miliardë dollarësh për energjinë diellore.

Planet për atë që konsidetohet si projekti më i madh diellor në botë u lajmëruan nga Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, dhe shefi ekzekutiv i “Softbank”-ut, miliarderi Masayoshi Son.

Thuajse gjysma e fondeve do të vijnë nga “Softbank” dhe Arabia Saudite, ndërsa pjesa tjetër nga kredi që do të paguhen nga shitja e energjisë elektrike që do të prodhojë projekti kolosal.

Ky i fundit është kaq i madh, saqë do të duhet më shumë se një dekadë për të përfunduar, e objektivi është viti 2030. Shkalla e projektit do të ngrejë gjithashtu industri të tëra në Arabinë Saudite për prodhimin dhe instalimin e pajisjeve diellore.

Projekti do të gjenerojë 200 gigavat energji dhe do të krijojë 100 mijë vende pune. Sipas planit, do të ndërtohen dhjetëra parqe diellore në të gjithë Arabinë Saudite, si dhe bateri kolosale për të magazinuar energjinë e prodhuar.

Llogaritet që projekti do t’i shtojë 12 miliardë dollarë GDP-së së Arabisë Saudite dhe do t’i kursejë 40 miliardë dollarë në kosto prodhimi energjie.

Top Channel