Këtë të mërkurë, Rusia është në një ditë zie kombëtare për viktimat e zjarrit në qendrën tregtare të qytetit Kemerovo, në Siberi.

Së paku 64 vetë humbën jetën në këtë tragjedi, pjesa më e madhe e tyre fëmijë.

Mijëra njerëz protestuan një ditë më parë në Kemerovo, duke kërkuar hetim të plotë të incidentit, si dhe duke bërë thirrje për dorëheqjen e guvernatorit rajonal.

Të afërmit thonë, ndërkohë, se dhjetëra persona, mes të cilëve edhe fëmijë, konsiderohen ende të zhdukur. Ata kërkuan madje takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Protesta në solidaritet me viktimat e tragjedisë janë mbajtur edhe në Moskë, Shën Pjetërburg dhe qytete të tjera.

Katër persona janë ndaluar nga autoritetet për t’u marrë në pyetje në lidhje me zjarrin, përfshirë krerët e kompanisë që menaxhojnë qendrën tregtare.

Të mbijetuarit e tragjedisë dhe dëshmitarët okularë thanë se nuk kishin dëgjuar alarm për zjarrin, e se shumë njerëz ishin bllokuar pasi dyert e daljes kanë qenë të mbyllura.

Top Channel