Monedhat e shatërvanit të Trevit, tashmë në arkat e komunës

28/03/2018 10:47

Sipas legjendës, kush mbyll sytë dhe i kthen shpinën shatërvanit, duke hedhur një monedhë në të, siguron kthimin në qytetin e përjetshëm.

Kështu, për çdo vit, Shatërvani i Trevit, një nga monumentet më të famshme të Romës, mbushet me monedha.

Deri më sot, ato i shkonin “Caritas”-it, por nga 1 prilli, monedhat do të përfundojnë drejtpërdrejt në arkat e komunës për të financuar projektet e asistencës.

Vet komuna, sipas një memorandumi të nënshkruar në tetor nga zëvendëskryebashkiaku i Romës, Luca Bergamo, dhe drejtues të tjerë, ka bërë të ditur se të njëjtin fat do të kenë edhe të gjitha shatërvanet e tjera monumentale të qytetit.

Paratë, deri më tani të përdorura për mirëmbajtjen e pasurisë artistike të qytetit, do të përdoren tani për të ndihmuar në projektet e solidaritetit. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme. Vetëm nga “Fontana di Trevi”, apo Shatërvani i Trevit, “Caritas”-i kishte mundur të mblidhte një milion euro në vit, të përdorura nga ai për një rrjet asistence të përbërë jo vetëm nga mencat për të varfrit, por edhe për qendra për të pastrehët, asistencë sanitare dhe familjare për shtresat më të dobëta, mbledhje dhe menaxhim fondesh për familjet në vështirësi, etj. Pra, një supermarket falas në dispozicion të të pamundurve.

Tani, shumë prej këtyre projekteve mund edhe të mbyllen.

Top Channel