Mali i Zi dëbon një rus. Podgorica: Vendimi, në bashkërendim me aleatët

28/03/2018 14:01

Mali i Zi, një vend ku interesat ruse janë mjaft të mëdha, iu bashkua listës së shteteve që dëbuan diplomatë rusë, përmes vendimit të tij për të larguar një përfaqësues diplomatik të akredituar në Ambasadën e Rusisë në Podgoricë.

Personit i është dhënë një javë afat për të lënë vendin. Qeveria në Podgoricë tha po ashtu se i ka hequr akreditimin Konsullit rus të Nderit në Mal të Zi.

Ekzekutivi malazez shpjegoi se, vendimi është marrë në bashkërendim me aleatët e Bashkimit Europain dhe NATO-s, e në linje me kundërpërgjigjen e tyre ndaj sulmit me gaz nervor ndaj një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe të bijës së tij në Britaninë e Madhe.

Shtetet e Bashkuara dhe 22 vende të tjera të botës, përfshirë Shqipërinë, kanë larguar mbi 137 diplomatë, në atë që konsiderohet si dëbimi më i madh kolektiv i oficerëve rusë të shërbimeve sekrete në histori.

Moska vazhdon të mohojë çdo përfshirje në këtë ngjarje, ndërsa valën e dëbimeve masive e sheh si rezultat të “presionit kolosal” nga ana e Uashingtonit.

Mendimi i përgjithshëm në Rusi është se ajo po ndëshkohet pa shkak nga Perëndimi. Por, edhe pse e bëri të qartë se është duke planifikuar një kundërpërgjigje të ashpër, qeveria ruse tregoi gjithashtu se mbetet e hapur për bisedime me Shtetet e Bashkuara.

Konfrontimi, në këndvështrimin e saj, kërcënon stabilitetin global. Një pohim i tillë vjen në sfondin e deklaratave të forta, si ajo e deputetit komunist të Dhomës së Ulët të Parlamentit, Dumës, Leonid Kalashnikov, i cili u shpreh se përshkallëzime të nivelit diplomatik si ky i fundit ndodhin zakonisht para nisjes së një lufte.

Top Channel