Task Forca për verifikimin e pronave në bregdet e ka nisur punën nga Hipoteka e Vlorës.

Task Forca do të verifikojë dokumentacionin në Hipotekë dhe më pas do të procedojë me verifikimet në institucionet e tjera si dhe ne terren. Sipas kreut të Aluiznit, Artan Lame, Vlora është një nga qarqet me abuzimet më të mëdha të pronave.

“I gjithë bregdeti i jugut është i paregjistruar. Nuk ka ndodhur më kot, është lënë i paregjistruar këto 20 e ca vite për t’u shqyer. Vetë qyteti i Vlorës nuk është i regjistruar në Hipotekë. Ka qenë mënyrë për ta lënë jashtë sistemit dhe për ta shqyer pronën si kanë mundur dhe si kanë dashur”, shprehet Artan Lame, drejtor i Aluiznit.

Por Vlora nuk është qarku i vetëm që do të kalojë në sitë. Task Forca do të verifikojë mbi 30 mijë parcela në të gjithë vijën bregdetare të vendit.

“Problematike janë zonat e Velipojës e bregdetit të Lezhës, të Shëngjinit, zona e Kune Vainit, zona e ishull Lezhës, i gjithë Gjiri i Lalzit, zona e Kavajës, bregdeti i Semanit, bregdeti i Nartës, zona komplet të pahedhura në sistem, zona e Orikumit dhe një shigjetë e bregdetit të rivierës përgjithësisht i jugut”, shprehet Lame.

Qeveria ka pezulluar tërësisht regjistrimin e pronave bregdetare në hipotekë dhe po përgatit ndryshimet ligjore përmes të cilave do të shtetëzojë tokën e marrë abuzivisht.

“Nëpërmjet prefektëve dhe nëpërmjet Task Forcës së ngritur të bëjnë verifikimin e atyre që s’janë regjistruar ende. Ndërsa te ato të regjistruara të shohim se sa këta persona kanë qenë banorë të fshatit në vitin 1991, sesa i takonte të merrte tokë dhe se sa ka qenë tokë bujqësore në atë kohë”, shprehet kreu i Akuiznit.

Top Channel