Tre fëmijë u transportuan të martën me urgjencë nga Puka në Tiranë. Ata ishin në gjendje jo të mirë shëndetësore, por edhe në shok, për shkak se atë ditë motra e tyre 13-vjeçare kishte ndërruar jetë. Ndërsa për vdekjen e të miturës vijojnë verifikimet, në Tiranë, e motra 11-vjeçare është ende e rëndë.

“Aktualisht vajza vazhdon në gjendje të rëndë. Është me pneumoni masive të djathtë. Gjithë ekipi është i organizuar të suportojë në dinamikë të gjendjes. Aktualisht janë marrë të gjitha ekzaminimet për të gjitha sëmundjet që shoqërohen me këtë. Simpotomat janë të lidhura me temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe me disa element në lëkurë”, thotë Ermira Kola, shefe e shërbimit të Reanimacionit të Pediatrisë.

Mjekët presin ende konfirmimin e analizave të institutit të shëndetit publik, ai i cili do të konfirmojë zyrtarisht nëse fëmijët janë prekur nga fruthi. Rezultat që duhet të kishte dalë që në mesditë, sipas parashikimit të autoriteteve shëndetësore. Por, mjekët thonë se edhe nëse përjashtohet mundësia e prekjes nga fruthi, pneumonia mund të shkaktojë pasoja fatale.

“Pneumonia shoqërohet edhe me vdekje”, thotë mjekja.

2 fëmijët e tjerë të të njëjtës familje, përkatësisht 16 dhe 17 vjeç të transportuar në Tiranë po ashtu për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ndodhen të shtruar në spitalin infektiv jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel