Tragjedia në Kemerovo, turma e të afërmve kërkon dorëheqjen e Putinit

27/03/2018 16:52

Dhjetëra mijëra persona dolën rrugëve të qytetit siberian, Kemerovo, të irrituar me zyrtarët rusë pas zjarrit vdekjeprurës në kompleksin e një qendre tregtare, që la të paktën 64 persona të vdekur, 41 prej të cilëve fëmijë.

Presidenti Putin shkoi në Kemerovo më herët gjatë kësaj të marte, e bëri fajtore “neglizhencën kriminale” për ngjarjen e së dielës.

Të afërm të atyre që ndodheshin në qendrën tregtare përpara zjarrit thonë se ende 85 persona rezultojnë të zhdukur, shumica e të cilëve fëmijë, siç raporton agjencia e lajmeve “Interfax”.

Hetuesit thonë se alarmi i zjarrit ishte fikur, ndërsa daljet e emergjencës ishin bllokuar pas rënies së zjarrit.

Mijëra personat që u mblodhën jashtë selisë së qeverisë lokale gjatë kësaj të marte, kërkuan që drejtuesit e tyre të shkarkoheshin pas problemeve të theksuara të mungesës së sigurisë nga zjarri në kompleksin e fatkeqësisë. Pati gjithashtu thirrje që i drejtoheshin presidentit rus, të cilit i kërkohej dorëheqja.

Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, por Komiteti Hetimor rus ka folur për “shkelje serioze” në qendrën tregtare. E mërkura është shpallur ditë zie kombëtare anembanë Federatës Ruse, me dekret presidencial nga Putini.

Një grua tërhoqi të gjithë vëmendjen e turmës së mbledhur në Kemerovo, kur tha:

“Fëmijët telefonuan prindërit e tyre, kërkuan ndihmë. Kërkuan që zjarrfikësit të dërgoheshin me urgjencë në vendngjarje”.

Por, si përgjigje, atyre iu erdhi kërkesa e zyrtarëve lokalë për t’u shpërndarë, gjë që irritoi edhe më tej protestuesit që qëndruan për mbi 7 orë aty.

Top Channel