“Tokën e grabitën me ligjin 7501”. Denoncimi për abuzime në lagunën e Kune-Vainit

27/03/2018 19:41

Familja Mlika është një familjet pronare më të dëmtuara nga abuzimi i pronave në bregdetin e Lezhës. Ish-pronarët e tokave në Kune Vain, pretendojnë se u janë tjetërsuar rreth 300 mijë metër katrorë tokë dhe se prej 15 vitesh po sorollaten nëpër zyra, ndërsa tokën e tyre e kanë marrë 23 persona me ligjin 7501.

“Që në 1995 Muhamet Mlika merret me këtë punë. Ne në pronën tonë nuk mundemi me hy. Ai tjetri vjen nga jashtë dhe futet brenda. Vjen këtu dhe ngul këtu beton, është bërë klubi në breg të detit atje. Ne nuk mund ta lëmë kështu tani se kjo është pronë e trashëguar, nuk është pronë e fituar”, shprehet Muhamet Mlika, bashkëpronar i tokës.

Por si ka ndodhur kjo? Abuzimi shpërndahet në vite dhe është bërë nga disa institucione. Së pari, një pjesë e tokës së familjes Mlika është regjistruar në shkelje të ligjit nga tokë ranore në tokë bujqësore nga komuna e Shëngjinit. Këshilli i Qarkut, bashkia e Lezhës dhe zyra e hipotekës e shpërndanë tokën me ligjin 7501. Për Feritin, një nga anëtarët e familjes që ndjek çështjen e pronës së saj, janë disa institucione të cilat kanë abuzuar me tokën e tyre.

“Këshilli i Qarkut dhe komuna Shëngjin ka lidhje. Më vonë, bashkia. Familjarët Mlika kërkojnë t’i qëndrojnë besnik pronës së vetë”, thotë Ferit Lluja.

Por kush janë personat që kanë përfituar truall në Vain në pronën e Mlikajve? Sipas ligjit 7501, një nga kriteret për të përfituar truall është të qenit banor i zonës të paktën deri në vitin 1992.

“Mesa di unë, as janë hiç fare këtu të Vainit, asnjë. Janë njerëz të ardhur, nga janë, se kush janë, nuk e di”, shprehet Muhamet Lika.

Vaini është një zonë e mbrojtur prej më shumë se 70 vitesh. Banorët e vetëm aty gjatë viteve të komunizmit kanë qenë vetëm ushtarët e një reparti apo kafshët e lagunës. Pra, ky është një kriteret që askush nuk mund ta përmbushë për të përfituar tokë me ligjin 7501. Krahas abuzimit me tjetërsimin e pronës, në të gjithë zonën e Vainit është abuzuar edhe me ndërtimet pa leje, të cilat vihen re qartë në të gjithë zonën.

Top Channel