Më në fund reagim i ashpër ndaj Rusisë, por duhet gjithsesi më shumë

27/03/2018 10:52

Përmes dëbimit të dhjetëra rusëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 21 vende të tjera, presidenti Trump dhe udhëheqësit e vendeve të tjera aleate kanë ndërmarrë ndëshkimin më domethënës deri më sot ndaj Rusisë dhe udhëheqësit të saj, Vladimir Putin.

Gjithsesi është një lëvizje ndoshta edhe e vonuar për Trumpin, refuzimi tejet i gjatë i të cilit për të kritikuar Putinin dhe hezitimi për të vepruar kundër sjelljes malinje të Rusisë ka shtuar dyshimet se Moska di mjaftueshëm sekrete që mund t’i përdorë për të “kërcënuar” presidentin amerikan.

Zhvillimi i së hënës ofron njëfarë shprese se, Trumpi më në fund mund të detyrohet të përballet me kërcënimin që Putini paraqet ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë të tyre.

Pikërisht këtu duhet vendosur theksi, te “shpresa”. Trumpi do të duhet të shkojë edhe më tej në zmbrapsjen e ligësisë së Putinit, i cili është në krye të një game të gjerë veprimesh, që nga ndërhyrja në zgjedhjet e Amerikës dhe ndaj demokracive të tjera perëndimore, e deri të nxitja e luftrave në Ukrainë dhe Siri.

Urdhri i dëbimit është ndërmarrë specifikisht në hakmarrje të helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripalit dhe vajzës së tij në Britani, veprim për të cilin është fajësuar drejtpërdrejt Kremlini.

Në Amerikë, ai përfshin 12 persona të identifikuar si oficerë të shërbimeve sekrete ruse që vepronin në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, si dhe 48 të tjerë në Ambasadën e Federatës Ruse në Uashington. Gjithashtu do të mbyllet edhe Konsullata ruse në Seattle, pas shqetësimeve se rusët po spiunonin aktivitetet në bazën e nëndetëseve dhe mjediset e prodhimit të “Boeing”-ut, shumë pranë saj.

Putini është pak të thuhet se do të hakmerret, duke përvijuar spiralen rënëse të marrëdhënieve ruso-amerikane, siç nuk ishte parë ndonjëherë që prej Luftës së Ftohtë. Kjo gjë do të dëmtonte edhe më tej aftësinë e të dyja kombeve për të punuar mbi sfida serioze, si fundi i luftës në Siri apo frenimi i një gare të re armatimesh bërthamore.

Ndaj, duket gjithmonë e më e vështirë për Trumpin që të mbetet pasiv përballë agresionit rus. Më 15 mars, ai vendosi sanksione ndaj një serie organizatash ruse dhe individësh, për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe për sulme kibernetike të dëmshme.

Megjithatë, presidenti duket se po vijon të kënaqë dëshirat e Putinit, pasi po intensifikon edhe kritikat ndaj prokurorit special, Robert Mueller, dhe ndaj hetimit të ish-drejtorit të FBI-së mbi marrëdhëniet e rrjetit të bashkëpunëtorëve të Trumpit me Rusinë.

Shembulli më i fundit erdhi javën e kaluar, kur Trumpi, i cili regjistron telefonata të rralla me udhëheqësit e aleatëve më të afërt të Amerikës, bëri një lëvizje të çuditshme, kur e telefonoi Putinin për ta përgëzuar për rizgjedhjen si president i Rusisë në një palë zgjedhjesh farsë.

Ajo që mungonte në atë telefonatë ishte pikërisht kritika për sulmin me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus, gjë që detyroi më pas veprimet e së hënës me dëbimet masive të diplomatëve rusë, apo ndonjë kërkesë ndaj Putinit që t’u jepte fund ndërhyrjeve në zgjedhjet amerikane.

Qoftë edhe pas kësaj, Trumpi duket se po e distancon veten nga urdhri i dëbimeve i lëshuar nën emrin e tij, duke nënvizuar mospërputhje me qasjen e tij. Në vend që të prezantohej përmes fjalëve të ashpra të presidentit, vendimi u njoftua përmes një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, ku thuhej se masa “e bën të qartë ndaj Rusisë se veprimet e saj do të kenë pasoja”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mundet vërtet të qëndrojnë të bashkuar në dënimin e aktiviteteve të neveritshme të Putinit dhe bërjen e tij përgjegjës. Dëbimet tregojnë se Rusia do të paguajë një çmim për përdorimin e armëve kimike luftarake në territorin e një vendi aleat. Por, Trumpi ende nuk ka bërë aq shumë për të kundërshtuar nismën më të rrezikshme të Putinit: ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016 dhe në ato të mesmandatit të këtij nëntori.

Jo, do të jetë e pamundur ta shohim këtë administratë ta marrë seriozisht këtë kërcënim, derisa Trumpi vet të urdhërojë, sa më shpejt të jetë e mundur, një fushatë gjithëpërfshirëse për të riparuar dobësitë e sistemit zgjedhor amerikan dhe të parandalojë ndërhyrjet në zgjedhjet e së ardhmes.

Ai duhet gjithashtu të vendosë sanksione ndaj oligarkëve rusë, të ngrijë asetet e tyre, t’iu ndalojë atyre qasjen në sistemin bankar global, të pengojë fëmijët e tyre të ndjekin shkollat perëndimore, derisa të sigurohet se miqtë e Putinit do ta ndiejnë vërtet pushtetin e Amerikës dhe të përdorin ndikimin e tyre për të frenuar, e ndoshta ndalur, agresionin e tij. (Editorial redaksional i “New York Times”)

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA