Lavrov akuzon SHBA: Shantazh dëbimesh; Ambasada ruse pyet “cicëruesit”

27/03/2018 16:29

Rusia ka akuzuar këtë të martë Uashingtonin se po ushtron presion ndaj vendeve të tjera për të qenë aktive në “dëbimet masive” të diplomatëve të saj, në kundërpërgjigje të sulmit me agjent nervor në Britaninë e Madhe.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për një “shantazhim kolosal” dhe tha se në Europën moderne “kanë mbetur shumë pak vende të pavarura”.

Dëbimi i rreth 143 rusëve nga 26 kombe shënon ngjarjen më të madhe të këtij lloji në histori. Edhe NATO reagoi së fundi duke iu hequr akreditimet 7 pjesëtarëve të Misionit rus, ndërsa Stoltenberg shtoi se do t’iu refuzoheshin kërkesat për akreditim 3 pjesëtarëve të tjerë.

Ish-spiuni rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij Yulia u helmuan më 4 mars në Salisbury, në jug të Anglisë. Ata vijojnë të mbeten në gjendje kritike, por të qëndrueshme, në spitalin britanik. Hetuesit besojnë se për helmimin e tyre është përdorur një agjent nervor luftarak.

Edhe pse udhëheqësit e BE-së u rakorduan me Britaninë e Madhe javën e kaluar, se me të gjitha gjasat ishte Rusia që fshihej pas helmimit në Salisbury, Moska zyrtare mohon të ketë gisht në atë ngjarje.

Lavrov shtoi se është e paevitueshme që të mos ketë një përgjigje ndaj këtyre dëbimeve masive.

“Sigurisht që nuk mund ta tolerojmë një paturpësi të tillë – tha ai. – Kur një apo dy diplomatë dëbohen nga një vend apo një tjetër, ndërkohë që gjatë të gjithë kohës pëshpërisin duke kërkuar falje në veshët tanë, atëherë e dimë padyshim që kjo vjen si rezultat i një presioni të jashtëzakonshëm, shantazhi kolosal, që fatkeqësisht ka mbetur mjeti i vetëm në duart e Uashingtonit në arenën ndërkombëtare”.

“Është shumë e vështirë që t’i ikim përfundimit se, paskeshim pasur të drejtë kur theksuam disa herë se në botën moderne, ose më saktë Europën moderne, kanë mbetur shumë pak shtete të pavarura”, deklaroi më tej Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus thuhet se po harton një sërë masash hakmarrëse, që do të konsiderohen nga presidenti Vladimir Putin. Senatori rus, Vladimir Dzhabarov është cituar të ketë thënë se duhet të jepet një përgjigje “dhëmb për dhëmb” ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të dëbuar 48 diplomatë rusë nga Ambasada në Uashington dhe 12 të tjerë nga selia e OKB-së në Nju Jork.

Ndërkohë, Ambasada e Rusisë në SHBA ka hapur një sondazh në “Twitter”, ku fton shtetasit rusë të votojnë se cilën mes tri përfaqësive diplomatike amerikane në Rusi donin të mbyllej. Deri më tani, Ambasada në Shën Pjetërburg ka marrë më shumë reagim.

Top Channel