Krimet e Rënda i kalojnë “Kokainën” Durrësit: Çështja, jo si grup i strukturuar kriminal

27/03/2018 11:18

Hetimet për kapjen e 613 kilogramëve kokainë në një kontenier me banane që vinte nga Kolumbia, tanimë do të vijojnë nga Prokuroria e Durrësit.

Kjo pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda, që kishte nisur hetimet për këtë rast për akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, ka shpallur moskompetencën për vazhdimin e hetimeve. Këtë veprim ia detyron vendimi i para disa ditëve i Gjykatës së Lartë, që ka përkohësisht edhe rolin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion, sipas të cilës, Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të hetojë çështje që ligji ia parashikon SPAK-ut, njësisë speciale antikorrupsion.

Këto çështje kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të nivelit të lartë si dhe krimet e kryera nga organizata ose grupe të strukturuara kriminale. Për shkak se SPAK-u ende nuk është ngritur, rolin e tij duhet ta luajë prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda.

Për këtë arsye, së bashku me çështjen e kokainës, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të shpallë moskompetencën edhe për rreth 300 çështje të tjera, që i ka aktualisht nën hetim dhe gjykim dhe që nuk janë në kompetencën e saj për t’i hetuar. Këto çështje pritet t’ua delegojë prokurorive të rretheve ku kanë ndodhur ngjarjet.

Top Channel