Denoncimi i Fiks Fare: Të vdekurit “firmosin” për të shitur pronën para noterit!

27/03/2018 20:42

Fiks Fare denoncoi një skandal, ku tre të vdekur, të cilët prehen në varrezat e fshatit Vrakë në Malësinë e Madhe, rezultojnë në dokumente se kanë “firmosur” për të shitur një tokë prej 10 dynymësh buzë rrugës nacionale Shkodër-Koplik.

Kontratat janë përpiluar në një zyrë noterie në qytetin e Koplikut, madje, përkrah emrave të personave të vdekur, janë për çudi edhe firmat e tyre.

Në redaksinë e “Fiks Fare” mbërriti një denoncim nga zonja Millojka Brajoviq, e cila denoncon se disa pjesëtarë të familjes së saj, megjithëse kanë ndërruar jetë, kanë firmosur për të shitur një pronë.

“Në 23 shkurt 2004, disa pjesëtarë të familjes tim nga babai, Brajoviq, bëjnë një akt noterial te noteri në Koplik, Sabri Kurtaj. Firmosin disa persona, për të shitur një sipërfaqe prej 10 dynymësh toke vëllait të tyre, po në fshatin Vrakë, buzë rrugës nacionale Shkodër-Koplik. Mes personave që firmosen ishte edhe Roza Brajoviq, nëna ime, Gjurgje Brajoviq (Stajkiç), motra ime dhe Gojko Stajkiç nipi im” thotë Millojka. Sipas saj, nëna e saj ka ndërruar jetë në vitin 2008, ndërsa motra, në shkurt të vitit 2004, 10 ditë para se të firmoste te noteri Sabri Kurtaj.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në zyrat e gjendjes civile në Shkodër dhe Malësi e Madhe, ku morën certifikatat e vdekjes së këtyre personave. Sipas certifikatave, Roza Brajoviq ka vdekur ne vitin 1998, ndërsa Gjurgje Brajoviq në datë 14 shkurt 2004. Më pas, gazetarët shkojnë te varrezat e fshatit Vrakë, ku prehen të ndjerat. Rezultoi se Roza, Gjurgje dhe Gojko kishin ndërruar jetë para datës 23 shkurt 2004, ku figuronin se kishin “firmosur” te noteri. Madje, në një nga aktet noteriale, rezulton se Gojko Stajkiq, i cili, megjithëse i vdekur, ka firmosur më 22 shkurt 2004, duke autorizuar nënën e tij po të vdekur, për të shitur tokën.

Grupi i Fiks Fare shkoi te noteri Sabri Kurtaj, në qytetin e Koplikut. Noteri tha se e kanë mashtruar dhe ua ka dhënë në mirëbesim aktin noterial në shtëpi personave. Ata e kanë firmosur dhe ia kanë sjellë sërish në zyrë. Ai pranoi se vëllezërit denoncueses e kanë fituar tokën me mashtrim.

“Po me mashtrim e kanë marrë. Po, ua kam dhënë me mirëbesim” thotë ai. Më tej shton se akti duhej anuluar, por deri me tani nuk është anuluar megjithëse çështja ka shkuar disa herë në gjykatë. Pyetjes se çfarë dokumentesh kanë sjellë familjarët e të ndjerave, noteri tha se kanë sjellë disa certifikata dhe se përgjegjëse janë zyrat e gjendjes civile. Por, pas një verifikimi, rezultoi se para noterit janë dërguar certifikatat e regjistrit të vitit 1974. Pra, jo të muajit shkurt 2004!

Pjesëtarë të familjes Brajoviq kërkojnë që të rishikohen kontratat e shitjes, ndërsa denoncuesja Millojka Brajoviq tregon edhe tokën, buzë rrugës nacionale Shkodër-Koplik. Pas disa minutash, në truall mbërrin një person, duke i kërkuar denoncueses dhe grupit të Fiks Fare të dalin nga prona e tij, madje mos të qëndrojnë as në rrugën kryesore. “Pronari” i tokës thotë se e ka blerë truallin në vitin 2006, ndërsa denoncueses i bën me dije që të shkojë në Mal të Zi, se atje e ka tokën. Madje, i tregon se, sa të jetë ai, këtë tokë nuk do e gëzojë kurrë.

Top Channel