“Kush ngre armët kundër qytetarëve dhe Policisë do të marrë të njëjtën përgjigje si grabitësi në Fier, i cili u qëllua për vdekje nga forcat e rendit pak ditë më parë”.
Ky është paralajmërimi që Kryeministri Rama dha gjatë një takimi me efektivë të Policisë së Shtetit, që zhvilloi pasdite në selinë e Qeverisë.
Ai ndau medalje për pjesëtarët e patrullës që mori pjesë në këtë operacion. Rama tha se objektivi është që brenda këtij mandati Policia e Shtetit të radhitet në nivelet e policive evropiane. Sipas tij, reforma e nisur po jep rezultate dhe numri më i ulët i vrasjeve për vitin 2017 është një provë, ndërsa shtoi se rekord është numri veprave penale të zbardhura.
Sa i përket grupeve kriminale, Kryeministri theksoi se janë sekuestruar 40 milionë euro pasuri, ose 40 herë më shumë se në vitin 2013. Rama tregoi se operacioni “Forca e Ligjit” do të vazhdojë, duke u dhënë përgjigje bandave që kanë grabitur shtetin e pronarët duke regjistruar prona me lloj-lloj manovrash.
“Sot shpreh jo vetëm në emër të qeverisë, por edhe të shumë njerëzve të zakonshëm, admirimin dhe mirënjohjen për 5 prej jush që e përmbushën detyrën me nder edhe pse grabitësit lëshuan mbi ta plumba. Ju ishit shpresa e fundit dhe mbrojtja e një çifti të moshuar bashkëshortësh. Po kjo patrullë rreth një muaj ndoqi me shpejtësi të lartë dhe arrestoi grabitësin e armatosur që i mori jetën një qytetari. Çdo ditë dhe çdo natë policët zhvillojnë një betejë të pabarabartë me kriminelët, pasi janë ata që vendosin vendin dhe kohën e përballjes.
Një shtet mund të rrisë pagat, mund të miratojë ligje për rritjen e profesionalizimit, gjerat që ne i kemi bërë dhe vazhdojmë t’i bëjmë edhe në vijim, por në fund të ditës dallimin në përballjen me krimin është trimëria e atyre që janë në betejën e përditshme. Këtë e pamë në Francë, por edhe shohim çdo ditë edhe në Shqipëri në përmbushjen e detyrës nga individë që na japin provën që investimi ynë për të mbështetur rritjen e mëtejshme të forcës goditëse të policisë së shtetit është i duhuri. Dhënia e medaljes së mirënjohjes për disa prej jush është një gjest modest. Bëhet fjalë për kryefamiljarë që janë gati të vetmohohen për njerëz të zakonshëm të këtij vendi”, tha Kryeministri Rama.
Top Channel