Qytetarët e Kosovës nuk e kanë mirëpritur aspak vendimin e qeverisë shqiptare për vendosjen e një takse në Rrugën e Kombit. Sipas tyre, tarifat janë të larta dhe taksa e vendosur do të ndikojë në uljen e qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve drejt Shqipërisë.

“Po një taksë ka qenë e nevojshme për atë rrugë sepse është shpenzuar shumë, mirëpo jo aq taksë e madhe, 5 euro andej e 5 këndej, 10 euro. Pensionisti e mendon, sikur unë dhe ky kolegu, me shku po i harxhoj 10 euro benzinë, 10 euro me shku dhe 10 me u kthy, kështu nuk po shkoj hiç. Ata e kanë pakuar numrin e njerëzve, numrin e qarkullimit të mjeteve me këtë farë forme të pagesës”, thotë një qytetar.

“Nuk ia vlen Shqipëria me qitë taksë sepse nuk e ka kryer autobanin, nuk e ka kryer akoma. Përgjysmë është rrugë e thjesht. E jona është e plotë, prandaj nuk e di pse e kanë qit ata”, thotë një tjetër

“Vallai shumë është. Me qenë 2.5 euro këndej e 2.5 euro andej bënë, a për 5 nuk i shkon askush. 5 euro është shumë shtrenjtë. A ne pa shku në Shqipëri nuk e lëmë në pushim. Boll shtrenjtë. Kishe i kemi tanët e na e kanë bë kështu. 10 euro për një autobus, 10 për kamion, për ata prapë, por këto kerret e vogla gjynah”, thotë një qytetar tjetër.

Por, ka edhe nga ata qytetarë që pranojnë taksën dhe vlerën e saj.

“Ndoshta kish qenë mirë, pse jo se gjithkund në Evropë e paguajnë, edhe ne po tentojmë me hy në Evropë, ndoshta nuk bëhet nami. Duhet me u përgatit gradualisht për Evropë”, thotë një prej tyre.

“Shumë në rregull është. Çdo rrugë paguhet. Çdo familje shqiptare nga Kosova paguan energjinë elektrike me vite të tëra, dhe atë çdo muaj rregullisht, për serbët e veriut, e të cilët nuk i lejojnë shqiptarët të kthehen në pronat e veta, as të ndërtojnë e as të vizitojnë. Kurse taksën rrugore e paguan nëse e shfrytëzon. Bile ke çka me pa, e sheh shtetin amë dhe bukurinë që vetëm Zoti ia ka dhuruar”, thotë një tjetër.

Taksa për çdo vajtje-ardhje prek edhe bizneset e Kosovës, të cilat detyrohen të paguajnë vlerën prej 10 eurosh sa herë që kalojnë në “Rrugën e Kombit”.

Top Channel