Mbetjet e rrezikshme, në kosh; Sarandë, klinikat i hedhin me mbetjet urbane

26/03/2018 19:44

Spitali bashkiak i Sarandës me 81 shtretër i shërben gati 130 mijë banorëve të 5 bashkive në jug të vendit. Ky spital mbledh mesatarisht në muaj rreth 450 kg mbetje të rrezikshme spitalore që sipas drejtorit Tajar Lako largohen me mjet frigoriferike të posaçëm një herë në muaj prej një kompanie që ka fituar tenderin për këtë shërbim që prej vitit 2012.

“Do të ishte mirë që tërheqja të bëhej më e shpeshtë. Spitali i Sarandës ka edhe 9 qendra shëndetësore, ka një vështirësi që firma të afrohet për t’i tërhequr”, shprehet Tajar Lako drejtor i spitalit Sarandë.

Spitali ka një frigorifer të posaçëm për mbetjet anatomike dhe të lëngshme por z. Lako mendon se shërbimi duhet të realizohet jo një por dy herë në muaj.

Specialistë të Mjedisit në Bashkinë e Sarandës thonë se nuk është përgjegjësi e bashkisë të trajtojë veçmas mbetjet spitalore.

“Ne nuk kemi dijeni ku i depozitojnë mbetjet, por ligjërisht drejtoria e shëndetit publik duhet t’i pajisë me kosha që t’i ndajnë këto mbetje”, shprehet Arjeta Papadhima, specialiste mjedisi në bashkinë e Sarandës.

Bashkia e Sarandës paguan një kosto prej 15$/ton për trajtimin e mbetjeve në landfieldin e Bajkaj ndërsa spitalit të Sarandës i kushton rreth 1,3 milionë lekë shërbimi i largimit dhe asgjësimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Megjithatë një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve spitalore vijojnë të hidhen në kosha publikë, aty ku ka kosha ndërsa shumë qendra shëndetësore në bashkitë e Delvinës, Konispolit, Finiqit dhe Himarës i flakin mbetjet në territorin përreth.

Top Channel