Largime nga LSI-ja edhe në Devoll, 4 këshilltarë i bashkohen PS-së

26/03/2018 10:56

Vijojnë largimet nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i Këshillit Bashkiak Devoll, Albert Lilo i është bashkuar grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste.

Lilo ka marrë me vete edhe 3 këshilltarë të tjerë, duke shtuar radhët e atyre të PS-së.

Të shtunën, dy këshilltarë të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Korçës u bashkuan me Partinë Socialiste.

Po javën e kaluar, 4 anëtare të Këshillit Bashkiak të Shkodrës kanë deklaruar bashkimin me PS-në, duke fajësuar atë që e cilësojnë “koalicion antiperëndimor LSI-PD”. Mirjam Bleta, Sokol Jubica, Elton Radovani dhe Roza Dedvukaj, shpjeguan përpara medieve vendimin e tyre. “Për fat të keq, LSI dhe PD lanë pas krahëve ëndrrën e shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve, duke u investuar në një kthim të fuqishëm kursi nga e shkuara dhe jo nga e ardhmja. Koalicioni antiperëndimor LSI-PD është kthyer tashmë në një koalicion antishqiptar”, u shprehën të larguarit.

Nga 10 këshilltarë gjithsej, tashmë LSI-ja mbetet me vetëm 6 në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Këto lëvizje vijnë pas atyre në Fier, Vlorë, Gjirokastër, Elbasan, Belsh, Skrapar e Kurbin. Beteja për zgjedhjet e ardhshme vendore duket se ka nisur, edhe pse një vit larg tyre, dhe rruga më e zakonshme në këtë kohë është nga LSI-ja drejt PS-së.

Top Channel