Emergjencat Civile kanë bllokuar lëvizjen në aksin rrugor Elbasan-Gjinar për shkak të riaktivizimit të rrëshqitjeve të tokës që e kanë bërë të pakalueshme një pjesë të kësaj rruge.

Aksi është i rrezikshëm për kalimin e mjeteve, kjo ka bërë që lëvizja të devijohet përmes një by pass-i. Por sipas drejtuesve të mjeteve ky devijim është shumë i gjatë, në një terren të vështirë malor dhe sipas tyre, përveç hetimeve në këtë rrugë, këtu duhen bërë edhe riparime për ta bërë funksional këtë aks rrugor.

“Për momentin ky segment është bllokuar për arsye sigurie”, thotë Mustafa Arapi, Drejtor i Emergjencave Civile Prefektura Elbasan.

Rrëshqitjet e tokës në aksin Elbasan-Gjinar nisën vetëm 1 vit pas ndërtimit të saj ndërkohë që në gjithë këto vite qarkullimi herë bllokohet dhe herë lejohet në varësi të kushteve të rrugës. Prokuroria ka nisur një hetim në lidhje me abuzimet me fondet në këtë aks rrugor, hetime të cilat çuan në pranga edhe drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika. Por për banorët e kësaj zone dhe përdoruesit e rrugës më shumë rëndësi ka ndërhyrja për ta bërë rrugën normalisht të kalueshme.

Top Channel