Basha kërkon falje, përballja me përfaqësuesit e ish-të përndjekurve

26/03/2018 19:40

Partia Demokratike është një muaj larg mbajtjes së Kuvendit Kombëtar. Duket e vakët ende mundësia për një afrim të të pakënaqurve, ndonëse takimet nuk kanë munguar.

Një shtysë e dha një konvente e të përndjekurve politikë për gjetjen eshtrave të të pushkatuarve në kohën e diktaturës.

Tomor Alizoti para disa muajsh u dorëhoq në shenjë proteste nga kreu i departamentit të të përndjekurve politikë në PD. Pasi rrëfeu krimin hoxhist mbi familjen tij dha këtë mesazh duke e parë në sy Lulzim Bashën.

“Mendimi ndryshe është thelbi i demokracisë. Tradhtarë ka vetëm në bolshevizëm sepse sistemi totalitar ka lënë pasoja në Shqipëri. O me mua o kundër meje”, tha Alizoti.

“Boleshevike është edhe pagabueshmëria e liderit, unë nuk jam i pagabueshëm. Ndaj kërkoj nga ju të më njihni të drejtën që i njoh gjithsecilit nga ju të gjithë demokratëve, të drejtën për reflektim. Eja Tomorr! Ejani të gjithë ju! Le të bashkohemi në gjirin e Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.

Pas zgjedhjeve të 25 qershorit Alizoti u rreshtua në grupin e kritikëve që kërkoi dorëheqjen e kryetarit të partisë. Ai dha dorëheqjen nga posti ku e pat komanduar Lulzim Basha e si rrjedhojë la vendin e tij bosh edhe në Kryesinë e Partisë Demokratike.

Top Channel