Balta shkatërron pronat. Shembjet në Kodër Vilë, dherat zënë poshtë edhe automjete

26/03/2018 20:17

Tonelata të tëra dherash vazhdojnë të rrëshqasin nga Kodër Vila mbi rrugën e Currilave në Durrës, duke e kthyer atë në një vend të rrezikshëm dhe për kalimin e automjeteve.

Objekte të banimit dhe shërbimit të ngritura përgjatë rrugës e ndodhen nën peshën e dheut janë braktisur kryesisht nga pronarët e tyre.

Të tjerë përpiqen me lopata t’i bëjnë ballë së keqes. Gjendja në të cilën ndodhet një nga rrugët më të frekuentuara të Durrësit zgjon dhe reagimin qytetar.

“Është gjynah të jetë një qytet turistik e ta shohësh në këtë gjendje. Ishalla marrin masa dhe kujtohen ta rregullojnë Durrësin”, shprehet një qytetar.

“Më duket e rrezikshme. Është e njëjta situate megjithë, atë investim që u bë”, thotë një tjetër.

“Kjo është skandal. Nuk vihet një dorë. Të dhimbsen dhe shtëpitë këtu. Janë njerëz. Shiko si janë bërë rrugët, skandal”, shprehet një tjetër qytetar.

Muajt e fundit, dukuria e rrëshqitjeve, pas çdo shiu, është bërë aq e shpeshtë dhe e shtrirë pothuajse përgjatë të gjithë faqes së kodrës, sa dhe pirgjet e shumta me dhe nuk po largohen më nga ndërmarrjet, përgjegjëse për heqjen e tyre.

Pak kohë më parë, një qytetar denoncoi vjedhjen e automjetit të parkuar në këtë zonë, po gjatë pastrimit të dherave u zbulua mjeti që ndodhej nën to.

Top Channel