Gati “Taksa” e Kombit; 10 euro për çdo vajtje-ardhje brenda 15 prillit

25/03/2018 20:07

Sot nisi testimi për pagesën që do të ketë për të gjithë ata që do të udhëtojnë në “Rrugën e Kombit”. Katër sportele, dy në hyrje dhe dy në dalje janë gati në “Tunelin e Thirrës” për autoveturat, për të cilat pagesa do të jetë 5 euro në vajtje dhe 5 euro në dalje. Ndërkohë dy sportele do jenë për kamionët dhe autobusët, me tarifa më të larta.

Testimi për vjeljen e tarifës u zhvillua me automjetet e personelit. Janë parashikuar 6 sportele, 4 për autoveturat dhe 2 për kamionët dhe autobusët.

Tarifat e miratuara fillojnë nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat, 11, 2 euro për autobusët dhe kamionçinat e deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë.

Koncensionari thotë se synon të sigurojë mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, por qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës thonë se tarifa është shumë e lartë.

Por vendimi për taksimin e “Rrugës së Kombit” ka hasur në kundërshti sidomos nga ana e banorëve dhe bizneseve të Kukësit, të cilët e përdorin më shpesh këtë aks.

“Është taksë e paligjshme, pasi detyrohen të gjithë shqiptarët, veçanërisht komuniteti kuksian, dy herë për të njëjtin shërbim. Teknikisht është e zgjidhshme: Komuniteti të mos paguaj taksë, derisa të ketë një rrugë alternative”, u shpreh Sokol Kolgjini, kryetar i Shoqatës “Biznesi për Biznesin”

Kompania që do të vjelë taksën thotë se do të ketë lehtësira për banorët e zonës dhe mjetet që udhëtojnë më shpesh në këtë rrugë. Ndërkohë në Tiranë reagoi Kreu i PD, Lulzim Basha.

Shefi i opozitës thotë se kjo tarifë, së bashku me taksen e qarkullimit, është një grabitje e dyfishtë ndaj shqiptarëve që i jep një goditje të rëndë lidhjes së Shqipërisë dhe Kosovës.

Basha premton ta shfuqizojë këtë tarifë që në ditën e parë të PD në pushtet.

Top Channel