“Vdiq si hero”, presidenti e ministri i Brendshëm francez nderojnë oficerin e Xhandarmërisë

24/03/2018 08:15

Oficeri i policisë franceze, që u vetofrua për shkëmbim me njërin prej pengjeve në ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në një supermarket, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

“Nënkoloneli Arnaud Beltrame, 45 vjeç, ra si hero dhe tregoi një kurajo të jashtëzakonshme”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron.

Punonjësi i Xhandarmërisë franceze ndihmoi t’i jepej fund sulmit terrorist të një agresori të armatosur që kishte vrarë 3 persona të pafajshëm në një qytet jugor të Francës, përpara se të vritej nga policia.

Terroristi, i identifikuar më pas si 25-vjeçari Redouane Lakdim, raportohet të jetë radikalizuar e gjatë pengmarrjes kishte deklaruar se ishte një ushtar i bindur i Shtetit Islamik.

Teksa njoftoi vdekjen të oficerit të policisë në “Twitter”, ministri i Brendshëm Gerard Collomb tha se “ai dha jetën për vendin e tij”. “Franca nuk do ta harrojë kurrë heroizmin e tij, trimërinë dhe sakrificën që bëri”.

Më herët, Macron kishte bërë të ditur se nënkoloneli Beltrame kishte pësuar plagë të rënda dhe se po luftonte me vdekjen në spital. Në total 16 persona u plagosën, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, në atë që Macron e përshkroi si një akt të “terrorizmit islamik”.

Lakdim raportohet të ketë kërkuar lirimin e Salah Abdeslamit, të mbijetuarit të vetëm e më të rëndësishëm të sulmeve të 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris, nga të cilat humbën jetën 130 persona.

Një person, që besohet të jetë partnerja e Lakdimit, u arrestua më vonë në lidhje me sulmit e së premtes.

Akti i dhunshëm nisi mëngjesin e ditës së djeshme në Carcassone, ku Lakdim vodhi një automjet, vrau pasagjerin, trupi i të cilit u gjet më vonë i fshehur në disa shkurre, e plagosi drejtuesin e tij. Më pas qëlloi ndaj një grupi policësh që po vraponin në rrugë, duke plagosur njërin prej tyre.

Lakdim udhëtoi për pak kilometra drejt qytezës së Trèbesit, ku hyri në supermarketin “Super U” nën thirrjet “Jam një ushtar i DAESH-it (akronim i Shtetit Islamik në gjuhën arabe)”. Ai vrau dy prej punonjësve, përpara se të merrte peng të tjerët.

Top Channel