Dëbora ka pushtuar Veriun e vendit, me ngrica dhe temperatura nën zero gradë. Situata më e rëndë duket të jetë në Bulqizë, atje ku termometri ka shënuar -7 gradë Celsius, ndërsa dëbora dhe ngrica ka paralizuar rrugët nacionale dhe rurale.

Megjithatë, aksi rrugor Bulqizë-Peshkopi është i kalueshëm me zinxhirë. Aksi Qafë e Buallit-Krastë kalohet me zinxhirë, por me shumë vështirësi, për shkak të ngricave në rrugë. Po ashtu edhe aksi Qafë e Buallit-Klos.

Aksi Qafë e Buallit-Zona D është i kalueshëm me zinxhirë me shumë vështirësi, ndonëse herë pas here bllokohet.

Gjatë ditës së sotme, minatorët e Zonës D nuk arritën të shkojnë në punë për shkak të ngricave dhe dëborës së madhe.

Ndërkohë Ura e Cerenecit-Stëblevë mbetet e bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Të bllokuara raportohen të jenë edhe njësitë administrative Trebisht, Ostren, Martanesh, si dhe më shumë se 70% e fshatrave të njësive Zerqan, Shupenzë, Fushë Bulqizë.

Top Channel