Nga SHBA, Xhafaj merr mbështetje maksimale për Drejtësinë e luftën kundër krimit

24/03/2018 10:27

Gjatë vizitës së tij në Uashington, në ditën e tretë të ndalesës, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është pritur në Departamentin e Shtetit nga ndihmëssekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Çështjet e zbatimit të ligjit, James A. Walsh.

Ministri Xhafaj e ka falënderuar për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë veçanërisht për Reformën në Drejtësi, përmes Ambasadës në Tiranë dhe programit “OPDAT” të asistencës, ndërsa theksoi se kjo mbështetje është e domosdoshme të jetë e pranishme, mbi të gjitha në këtë fazë delikate të procesit.

“Konstatoj me kënaqësi se investimi juaj për këtë reformë ishte me një vlerë të veçantë. Ndërkohë që kjo reformë ka filluar tashmë të japë rezultatet e para në kuadrin e procesit të vettingut, sfidë mbetet krijimi i organeve të reja të parashikuara nga kjo reformë”, është shprehur ministri Xhafaj.

Ministri e njohu gjithashtu mikpritësin me vizionin e tij në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u ndalur në rolin e rëndësishëm të policisë në mirëfunksionimin e trekëndëshit polici-prokurori-gjykatë.

Mes informimeve të tjera, Walsh u njoh nga ministri edhe me punën e nisur në funksion të reformimit të hetimit në Policinë e Shtetit, planin e veprimit të miratuar nga Qeveria për operacionin “Forca e Ligjit”, vettingun në Polici, luftën kundër kultivimit të kanabisit, policimin në komunitet, prioritete madhore këto për Ministrinë e Brendshme.

Një nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria është edhe ajo e luftës kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Por ministri Xhafaj u ndal më së shumti te rezultatet e para të operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe nevojën për asistencë më të kualifikuar për “task forcën” speciale të ngritur për këtë qëllim.

Ndërkohë, ndihmëssekretari amerikan Walsh vlerësoi progresin e bërë në procesin e reformave në Shqipëri, angazhimin e fortë të qeverisë aktuale, duke theksuar se “angazhimi i SHBA-ve nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të jetë intensiv edhe në të ardhmen”.

“Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, strategjitë e prezantuara, partneriteti me agjencitë ligjzbatuese amerikane janë shumë të rëndësishme për ne”, u shpreh ai. “SHBA do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e reja të ngritura në kuadër të Reformës në Drejtësi”.

Ai vlerësoi së tepërmi ngritjen e “TFS”-së dhe qasjen ndërinstitucionale në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e një koordinimi më efikas midis policisë dhe shërbimeve sekrete.

Ndihmëssekretari i Shtetit theksoi ndër të tjera se, “SHBA-të do të punojnë nga afër me Shqipërinë në këtë proces jetik për vendin. Lufta efikase ndaj grupeve kriminale është thelbësore, veçanërisht sa i takon qëndrueshmërise së rezultateve në luftën kundër kuktivimit të kanabisit për vitin në vijim. Ju do të keni të gjithë mbështetjen e Amerikës në përpjekjet tuaja serioze në luftën kundër krimit ndërnacional, korrupsionit, pastrimit të parave, ashtu si dhe në procesin e ngritjes së BKH-së dhe SPAK-ut”.

Në fund, ministri Xhafaj e ftoi zotin Walsh të vizitojë Tiranën, si një mundësi për të parë nga afër progresin e bërë dhe për të diskutuar për programet e asistencës në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA