Hyseni: E vërteta e pronës, znj. Bua i ka humbur të gjitha betejat gjyqësore

24/03/2018 14:31

Deputeti socialist Alket Hyseni e quajti një akuzë të montuar atë të zonjës Irini Bua, e cila gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” denoncoi përvetësimin e tokës së saj në mënyrë të paligjshme, duke drejtuar gishtin nga parlamentari i Partisë Socialiste.

“Kam shkëmbyer disa apartamente, njësi dhe garazhe të fituara para vitit 2010 nga të ardhura të ligjshme dhe të deklaruara, me një sipërfaqe toke bujqësore, të cilën e kam shitur vitin e kaluar. Nuk kam qenë në detyrën e Task Forcës dhe as kam lidhje direkt apo indirekt me atë detyrë, për të cilën jam krenar”, thotë Hyseni.

Deputeti pretendon se gjithçka është e dokumentuar me shkresa zyrtare: “Toka bujqësore është fituar nga një AMTP (tapi) në emer të kunatit të zonjës që akuzon, e marrë para dhjetëra vitesh dhe e regjistruar me vendim gjykate. Është transferuar me kontratë noteriale para disa viteve tek një person i tretë, përpara se të kalonte në pronësinë time të përkohshme”.

Sipas deputetit socialist, edhe gjyqësori i ka thënë zonjës Bua se i ka të pabazuara akuzat.

“Zonja Irini Bua dhe bashkëshorti i saj rezulton se i kanë humbur disa beteja gjyqësore dhe kanë bërë disa kallëzime penale në vite ndaj shumë personave dhe institucioneve, madje edhe ndaj meje, por që janë pushuar si të pabazuara”, shprehet deputeti.

Duke i cilësuar akuzat si shpifje të ulta dhe të nxitura politikisht, Alket Hyseni fton zonjën Bua që të mos bëhet instrument për konsum politik dite.

Top Channel