Xhafaj takohet në SHBA me drejtues të DEA-s

23/03/2018 11:41

Në ditën e dytë të vizitës në Uashington, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zhvilloi një takim me zëvendësdrejtorin e DEA-s (Agjencia për luftën kundër drogës), Anthony Williams dhe ekipin e tij të Drejtorisë Operacionale.

Pasi bëri një ekspoze të arritjeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit, prezantoi punën e madhe të bërë, sipas tij, nga strukturat e qeverisë dhe veçanërisht Policia e Shtetit, për të sensibilizuar fermerët dhe shoqërinë në tërësi për pasojat negative që vijnë nga kultivimi i kanabisit.

Në vijim, ministri Xhafaj falënderoi DEA-n për bashkëpunimin dhe kërkoi një intensifikim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, i cili duhet të fokusohet në shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, ndërmjet policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s, në Athinë. Ministri kërkoi të rritet kapaciteti i kësaj zyre, duke patur një oficer të dedikuar për Shqipërinë, apo përmes intensifikimit të takimeve dhe operacioneve të përbashkëta, mes Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s në Greqi.

Më tej, drejtuesve të Agjencisë amerikane iu paraqit një përmbledhje e punës së bërë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, identifikimit dhe analizës së grupeve kriminale në fushën e trafikut të drogës, hetimeve ndaj veprimtarisë dhe aseteve të tyre kriminale.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, zëvendësdrejtori i DEA-s dhe Drejtori i Operacioneve, Williams u shpreh se “Plani i Veprimit dhe vetë operacioni “Forca e Ligjit”, është plani më i mirë i prezantuar ndonjëherë nga partnerët tanë të përbashkët në luftën ndaj trafikut të drogës”.

Williams gjithashtu përgëzoi policinë shqiptare për rezultatet mbresëlënëse të këtij viti, sipas tij, lidhur me sekuestrimin e kokainës dhe heroinës në territorin shqiptar, duke i konsideruar ato një sukses të merituar të organeve ligj-zbatuese shqiptare.

Trajnimi i specialistëve të Policisë së Shtetit ishte pjesë e diskutimeve. Të dy palët shprehën vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin, si një mesazh i qartë i përpjekjeve për rezultate konkrete dhe të prekshme në vijim.

Në përfundim, u zhvillua një takim pune i ekipit të Policisë së Shtetit, drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtuesve të Drejtorisë Operacionale dhe Zyrës Rajonale në Athinë, ku u diskutua rreth operacioneve të përbashkëta që janë në proces, ndërmjet dy agjencive, si dhe u prezantuan disa operacione të reja për të cilat u kërkua bashkëpunimi me DEA-n.

Top Channel