Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një kompanie iraniane dhe 10 individëve, me pretendimin për sulme kibernetike, përfshi ato ndaj qindra universiteteve.

Instituti “Mabna” akuzohet të ketë vjedhur 31 terabyte “të dhëna të vyera të pronës intelektuale”.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njofton se firma në fjalë ka kryer sulme kibernetike ndaj 320 universiteteve anembanë botës, dhjetëra kompanive dhe një pjese të caktuar të qeverisë amerikane.

Nëntë prej 10 individëve të sanksionuar akuzohen gjithashtu për krime të ngjashme.

Dy themeluesit e Institutit “Mabna” janë mes tyre, ndaj dhe asetet e tyre financiare bëhen pjesë kështu e sekuestrove, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit.

“Këta të pandehur janë tashmë të arratisur të drejtësisë”, deklaroi zv.prokurori i Përgjithshëm amerikan, Rod Rosenstein, gjatë një konference për shtyp.

“Reuters” raporton se ai kishte paralajmëruar se këta individë mund të përballen me ekstradimin në më shumë se 100 vende, nëse ata guxojnë të dalin jashtë Iranit.

Instituti “Mabna” u themelua në vitin 2013, ndërsa prokurorët amerikanë besojnë se kjo “krijesë” u ngrit pikërisht për të ndihmuar organizatat iraniane në vjedhjen e informacioneve. Instituti akuzohet se ka ndërmarrë sulme kibernetike ndaj 144 universiteteve në SHBA, si dhe 176 universiteteve të 21 vendeve të tjera, përfshi këtu Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Kanadanë, Izraelin dhe Japoninë.

Duke shënjestruar “e-mail”-et e mbi 100 mijë profesorëve në mbarë botën, “hacker”-at kompromentuan 8.000 prej tyre, siç thekson Departamenti i Drejtësisë. Autoritetet amerikane e përshkruan këtë konspiracion global, si një prej sulmeve më të mëdha kibernetike të sponsorizuar nga një shtet, për t’u hetuar.

“Departamenti i Drejtësisë do ta hetojë në mënyrë të thellë, e do të përndjekë të gjithë aktorët armiq që u përpoqën të përfitonin nga idetë e Amerikës, duke u infiltruar në sistemet tona kompjuterike e duke vjedhur pronën tonë intelektuale”, tha Rosenstein, i cituar nga agjencia “AFP”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA