“Një orë e më parë të mbyllet”. Agron Duka e ka fjalën për ligjin 7501 me të cilin u nda toka pas rënies së regjimit komunist.
Ish-ministri i Bujqësisë bën thirrje për caktimin e një afati për pushimin e tij dhe pajisjen me titull pronësie të atyre që kanë përfituar ndër vite. Kreu agraro-ambientalistëve thotë se ky është hap jetik për thithjen e investimeve.
“Nëse duhet të zhvillojmë qoftë bujqësinë, qoftë agro-biznesin, qoftë pronat në përgithësi, qoftë transaksionet duhet sa më parë të mbyllet ky ligj. Por, natyrisht me të mirat e këqijat e veta nuk mund t’i rikthehesh zhbërjes së 7501-shit”, thotë Duka.
Çfarë është bërë nuk zhbëhet as sipas Partisë Demokratike. Por teksa pohon problematikat dhe abuzimet ndër vite, Jorida Tabaku, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë akuzon për abuzime më të forta qeverinë me vendimet e saj të fundit, që u heqin pronarëve përparësinë për kompensim.
“Sigurisht që ligji 7501 është shumë i debatuar dhe diskutuar për të cilën ka pasur objeksion në kohë dhe periudha të ndryshme. Mund të ketë abuzime, por abuzimi më i madh bëhet nga qeveria për të disatën herë. Të treja vendimet, si turizmi, investimet strategjike dhe fakti se fondi i pronave nuk do të jetë më në fond për kompensim të pronarëve, por du t’u jepet të tretëve, është një vendim i papranueshëm nga ana e qeverisë”, thotë Tabaku.
“Por të paktën ky fond tokash që thoni ju që është i përcaktuar me ligj në radhë të parë të përdoret për kompensimin e pronarëve dhe pastaj për zhvillimin e investimeve strategjike në turizëm”, thotë Duka.
Me ngritjen e Task Forcës për evidentimin e tokave shtetërore në gjerësinë prej 1 kilometri e gjysmë nga bregu i detit dhe pezullimi për dhënien e tapive për trojet e shpërndara me ligjin 8053, në ish-ndërmarrjet bujqësore në vijën bregdetare qeveria synon krijimin e një fondi për investime strategjikë në turizëm, por pas kësaj Tabaku paralajmëron një rrezik, të cilit i druhet dhe Duka.
“Janë vendime që kanë në bazë të tyre marrjen e pronës së pronarit edhe pa dëshirën e tij në rast kur një investitor strategjik vjen për të bërë një investim kur u referohemi pronave të bregdetit”, thotë Tabaku.
“Ai është një veprim që duhet marrë për të ndaluar abuzimet në zbatim të ligjit. A është e sinqertë që të krijohet ky lloj fondi për qëllime strategjike apo për klientet e qeverisë. Nëse është e dyta atëherë nuk është pozitive por përkundrazi do të shërbejë negativisht qoftë dhe për zhvllimin e zonave turistike”, deklaron Duka.
Ata thonë se çfarë lidhet me çështjen e pronave edhe sot e kësaj dite problematike kërkon transparencë, pasi një e drejtë e dhënë me ligj nuk mund të hiqet me vendim qeverie.
Top Channel