BE përjashtohet nga tarifat e Trumpit, të paktën përkohësisht

23/03/2018 17:12

Lëvizjet e tij të fundit po e çojnë Donald Trumpin drejt nisjes së një lufte tregtare me Kinën, por Bashkimi Europian, për momentin mund të marrë frymë lirisht.

Sipas të dhënave të Administratës amerikane, blloku europian e partnerë të tjerë do të përjashtohen përkohësisht nga tarifat ndëshkuese për çelikun dhe aluminin që eksportojnë në SHBA.

“Ne si Komision e bëmë të qartë se nuk e dëshirojmë një konfrontim në rrafshin tregtar, sepse prej një situate të tillë nuk fiton askush. Por, treguam gjithashtu se jemi në gjendje të kundërveprojmë me masat e duhura”, u shpreh kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

E lehtësuar u shfaq dhe Kancelarja Angela Merkel, që e cilësoi këtë një zhvillim pozitiv për tregtinë e lirë dhe kundër proteksionizmit.

Në këndvështrimin e presidentit francez, Emannuel Macron, më e pakta që mund të bëhet është të vazhdohet me rregullat e tregtisë botërore, që janë të vlefshme për të gjithë. Bisedimet, megjithatë, nuk kanë përfunduar dhe do të vazhdojnë përgjatë 6 javëve të ardhshme.

BE-ja, Australia, Argjentina, Koreja e Jugut dhe Brazili u përjashtuan të enjten nga tarifat e reja prej 25% të vendosura importeve të çelikut dhe atyre 10% mbi importet e aluminit. Trump pati deklaruar fillimisht se përjashtimet do të preknin vetëm Kanadanë e Meksikën, por la të kuptohej se prej tyre mund të perfitonin edhe aleatë të tjerë.

Top Channel