Donald Trump është kritikuar ashpër nga senatori John McCain për telefonatën e urimit të bërë Vladimir Putinit pas fitores së pritshme të tij në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Një president amerikan nuk e drejton botën e lirisë duke uruar diktatorët që fitojnë zgjedhje të turpshme, deklaroi McCain. Duke bërë këtë me Putinin, shtoi ai, Trump fyu praktikisht çdo qytetar rus të cilit i mohohet e drejta e votës në zgjedhje të lira e të ndershme për të përcaktuar të ardhmen e tyre, përfshirë këtu patriotët e panumërt rus të cilët kanë rrezikuar aq shumë për të protestuar dhe për t’i rezistuar regjimit të Putinit.

Trump i telefonoi shefit të Kremlinit të martën dhe të dy liderët ranë dakord të zhvillojnë bisedime së shpejti. “Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët, që të diskutojmë për armët, mund të diskutojmë mbi garën e armatimeve,” u tha shefi i Shtëpisë së Bardhë gazetarëve përpara një takimi me princin e kurorës Mohammad bin Salman të Mbretërisë Saudite.

Ai tha se gara e armatimeve ka dalë “jashtë kontrollit”, por SHBA “nuk do të lejojë askënd të ketë diçka qoftë edhe të përafërt me atë që ne zotërojmë”.

Gjate telefonatës, Trump theksoi ç’nuklearizimin e Gadishullit Korean, diskutoi mbi gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe shprehu vendosmërinë për të vazhduar dialogun rreth “prioriteteve dhe sfidave të përbashkëta të sigurisë kombëtare”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel